Monedha dy eurosh, vazhdon të bëhet problematike në Kosovë, tash e disa muaj, mbase edhe vite. Kjo monedhë është e pranuar zyrtarisht në të gjitha shtetet e Eurozonës (20 shtete tashmë ka Eurozona) dhe në Kosovë, e cila për shkaqe të ditura nuk është anëtare e Eurozonës, por e ka valutë zyrtare euron.
Dhe, pikërisht kjo monedhë, me të drejtë dhe pa të drejtë, në shumë raste po dyshohet për falsifikim dhe si e tillë po refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, në shumë transakcione tregtare, sidomos në shitjen me pakicë në Kosovë, por edhe në kryerjen e shumë shërbimeve, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.
Në mungesë të një sqarimi më të detajuar nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe të policisë, rreth monedhës, e bërë tashmë realisht problematike në vendin tonë, është krijuar një amulli e vërtetë në tregun kosovar rreth përdorimit, më saktësisht pranimit të monedhës 2 euro. Tani, në bazë të rasteve të panumërta të refuzimit të monedhës 2 euro, fitohet përshtypja se kushdo dhe kujt t’i teket mund ta refuzojë së pranuari këtë monedhë, ta shpallë ate false, pa ndonjë verifikim paraprak dhe të vë në “siklet” jo të vogël poseduesin e kësaj monedhe.
Kështu, praktikisht, ndodhi edhe sot, në orët e paraditës (rreth orës 8:40 minuta”, në autobusin urban të linjës numër 4 të kryeqytetit, që qarkullon në linjën nga Pishina e Gërmisë deri në Matiqan, dhe anasjelltazi, duke përshkuar thuaja gjithë kryeqytetin. Reporterit të Buletin Ekonomik, për të satën herë i rastisi të shohë edhe sot skenën jo fortë të këndshme, të krijuar ndërmjet konduktorit dhe një udhëtareje. Në kërkesën e konduktorit për të marrë biletën e udhëtimit, udhëtarja i ofron parat e kërkuara, mirëpo konduktori pa një pa dy ia kthen 2 euroshin asaj, me pretekstin se monedha është e falsifikuar. Udhëtares së urbanit, që ndihet keq me këtë rast, i del në ndihmë një person, me gjasë familiar i gruas, i ulur në të djathtën e saj, por edhe paranë e këtij të fundit, një monedhë tjetër prapë 2 eurosh, sërish konduktori ende pa e shikuar mirë ia kthen duke e konstatuar edhe këtë si para të falsifikuar. Konduktori sot ishte goxha decidiv: Nuk i marrin 2 euro, për shkak se bankat nuk po na i pranojnë pastaj.
Këto skena janë bërë të shpeshta qëkur, para disa muajsh, nëpërmjet televizioneve të vendit, zëdhënësja e Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, kishte njoftuar duke ngulmuar, se kompania të cilën ajo e përfaqëson, ka vendosur tash e sa ditë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 eurosh për pagesën nga klientela për shërbimet që kryen kjo kompani.
Të nesërmen e këtij njoftimi, kanë nisur të ndodhin raste të ngjashme më të shpeshta. Në fakt, për shkak të dyshimit të futjes në treg të një sasie të madhe të monedhës metalike false 2 euro, “Prishtina Parking”, duke marrë edhe rolin e BQK-së, por edhe të policisë, që në dhjetor të 2022-tës u deklarua që më mos ta pranojë nga qytetarët këtë monedhë. Vendimi kishte hyrë në fuqi diku para gjysmës së dhjetorit të 2022-tës dhe sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli, vendimi u mor për shkak të qarkullimit të monedhës 2 euro false, që sipas llogaritjeve të tyre “Prishtina Parking” mund të dëmtohet deri në 50 mijë euro në vit.
Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ishte furnizuar me pajisje për detektimin e monedhave falso, pasi ndërmarrja vendosi që të mos pranonte më monedhën metalike prej 2 euro. Në dhjetor të vitit të kaluar “Prishtina Parking” nënshkroi një kontratë, në vlerë 1 mijë euro, me kompaninë e sigurimeve “Pri Sig” për huazim, për një periudhë 12 mujore, të tri pajisjeve për detektimin e monedhave false. Ndërsa, sipas raportimeve mediale në atë muaj (dhjetor 2022) Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga muaji janar deri në nëntor 2022, janë hapur 707 raste “falsifikim i parasë”. Policia nuk kishte saktësuar se cila është bankënota më e falsifikuar në vend, e as shumën e parave të falsifikuara që janë konfiskuar vjet, por policia ka konfirmuar se kjo dukuri ishte shqetësuese edhe më 2021.
Edhe gjatë të të gjithë muajve të këtij viti ka pasur raste shumë të shpeshta të qarkullimit të valutës euro, si të kartëmonedhave, po kështu edhe të monedhave, veçmas të monedhës 2 euro. Mjafton t’ia hedhësh një sy raporteve ditore të policisë nëpër qendrat e ndryshme komunale të vendit, për të parë raste të shumta të qarkullimit të monedhës së falsifikuar 2 euro:
“Policia në raportin e saj 24-orësh ka njoftuar 7 raste të ndryshme të falsifikimit të parasë”, “Vetëm në një rast një zyrtare e bankës në Prishtinë ka njoftuar në polici se nga disa klientë janë deponuar 462 euro (monedha metalike), të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar, ka njoftuar policia”, “Janë arrestuar edhe dy persona në operacionin ‘Taksisti 2023’, i zhvilluar nga muaji prill , kundër parave të falsifikuara, me ç’rast ishin konfiksuar mbi 10 mijë euro në monedha 2-euroshe që dyshohet të jenë të falsifikuara. Më 13 prill 2023 Policia kishte arrestuar dy persona lidhur me këtë rast, derisa sot janë arrestuar edhe dy të tjerë.
Ndërsa, më 8 qershor të këtij viti (2023-tës, pra) është transmetuar në shumicën e medieve tona lajmi se janë “konfiskuar mbi 8500 euro të falsifikuara, arrestohen tre persona në Prishtinë”, ku saktësohet se “hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për një periudhë disa mujore, kanë zhvilluar hetime ndaj disa personave nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘falsifikim i parasë’. Pas grumbullimit të dëshmive e fakteve, policia sot ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit ka rezultuar që në flagrancë të arrestohen tre të dyshuarit: E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003), E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2000) dhe L.U., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003). Pas arrestimit si provë materiale janë konfiskuar: 4296 copë monedha metalike nga 2 euro (4296X 2=8592 euro), një automjet dhe katër telefona celular” thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Mirëpo, lajmet për falsifikimin e monedhës 2 euro e kanë zanafillën shumë më herët se sivjet. Që nga 2022-ta dhe 2021-shi kanë vërshuar informacione për qarkullimin e kësaj monedhe të falsifikuar. “Një shumë e madhe e parave të falsifikuara është gjetur dje në Prishtinë. Por, edhe disa muaj më herët, gjegjësisht që më 11 janar po të vitit 2021 raportohet në mediat tona se “Një institucion ka njoftuar policinë për monedha të metalta që dyshohet të jenë të falsifikuara. Pas daljes në vendin e ngjarjes, policia ka konfiskuar 2 mijë e 259 monedha 2-euroshe, si dhe 84 monedha 1-euroshe”. Siç shihet nga raportet policore janë evidencuar raste të shumta të prodhimit të falsifikuar të monedhës 2 euro. Dhe këto raste, mund të jenë edhe më të shumta se sa ato të evidencuara dhe të zbuluara.
Por, shtrohet pyetja nga shumëkush, edhe nga opinioni, edhe nga njohësit e rrethanave, se kush duhet të merrett me këtë problem, që normalisht nuk është i vogël dhe që po thellohet dita-ditës. Në vazhdën e kësaj pyetjeje, thjeshtë duhet sqaruar se a duhet të merret tani me problemin konstruktori i urbanit, udhëheqja e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Ujësjellsi rajonal “Prishtina, apo institucioni kompetent e që është absolutisht Banka Qendrore e Kosovës, që asnjëherë deri më tash nuk është deklaruar decidivisht çka duhet bërë në këto raste. Dhe, ndër njohësit e rrethanave, bëhet shumë e diskutueshme nëse vazhdon ta bëjë ligjin konduktori i urbanit, apo “Prishtina Parking”, në mungesë të një vendimi, apo veprimi zyrtar të BQK-së, por ndoshta edhe të Policisë. Siç bëhen të diskutueshme tashmë shumë raste nëpër shitore, ,arkete, furra buke konsumatorët refuzojnë të marrin kusurin në monedhën 2 euro, për kusurtitje me rastin e pagesës.
Dhe, këto zhvillime, në disa raste edhe të pakëndshme fare, sepse të vihet në siklet një person (siç ndodhi me udhëtaren e urbanit), në shumë raste pa asnjë faj të vetin dhe vetëm me vlerësimin fare paushall të konduktorit, duken fare jo normale. Me fjalë të tjera, në mungesë të një akti, një vendimi apo të një njoftimi më kompetent, qoftë edhe me shpjegime më të detajuara, të subjekteve që kanë obligim të monitorojnë qarkullimin e monedhave të falsifikuara, siç janë Banka Qendrore e Kosovës dhe policia jonë, gjithsesi që do të vazhdojnë të ndodhin këto skena. Po të kishte shpjegime të mjaftueshme për falsitetin eventual të kësaj monedhe dhe të tjerave, sikundër edhe të banknotave eventuale, do të kishte shumë më pak raste të vlerësimit të falsitetit të monedhës nga konduktori, por edhe nga konsumatori dhe qytetari i rëndomtë.
Ndërsa, rastet e veprimit- shpalljes publike të Ujësjellësit rajonal “Prishtina” dhe të “Prishtina parking” janë eklatante dhe të pashembullta në praktikat e deritashme të transakcioneve të pagesave jo vetëm në vendin tonë. Ta shpallesh të papranueshme monedhën zyrtare një kompani ujësjellësi është non sens, dhe fare e pakuptueshme dhe e pakapshme në logjikën e funksionimit të një shteti. Këto veprime dhe vendime janë krijim i institucioneve paralele financiare, dhe si të tilla jo ligjore dhe përzierje drejtpërdrejt kompetencash. Sepse, Kosova ka institucione kompetente ligjore për ta shpallur të papranueshme një monedhë, ka BQK-në, që do të duhej të reagojë dhe ta marrë situatën në dorë, duke evituar urgjentisht anarkinë në këtë fushë. S’ka më anarki se kujt t’i teket të shpallë të papranushme valutën zyrtare të vendit të tij. BQK-ja, duhet pa humbur kohë, të deklarohet se si do ta zgjedhë këtë problem, që domosdo ka zgjidhje. Duhet të deklarohet se a ka aparate që do të zbulonin falsitetin e monedhës dhe nëse ka të rekomandojë pajisjen e tregtarëve dhe të kompanive shërbyese të vendit.
Ndryshe, do të vazhdojë anarkia në qarkullimin e dy euros, siç ka nis këtyre ditëve. BQK-ja, fundja e ka obligim ligjor ta bëjë këtë. Dhe, nuk duhet pritur më të thellohet problemi./Buletini Ekonomik