Temë e emisionit Money në Euronews Albania, këtë të shtunë, ishte nisja e sezonit turistik dhe projeksionet mbi numrin e turistëve për të ardhmen e afërt.
Pa pushuesit nga Kosova, plazhet tona do të ishin më pak të frekuentuar dhe më pak të zhvilluar. Ata përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve dhe dëshmi e fuqisë së tyre për ekonominë tonë, është viti i pandemisë 2020, kur sezoni shpëtoi falë ardhjes në gusht të 800 mijë vizitorëve fqinjë. Por lajmi i mirë për liberalizimin e vizave në Kosovë, mund të jetë një lajm i keq për Durrësin, Velipojën, Shëngjinin dhe bregdetin shqiptar në tërësi.
Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit deklaroi për Money: “Rreziku më i madh për vitin që vjen është hapja e vizave për Kosovën dhe do presim një numër në rënie te turistëve nga Kosova”.
Ndërkohë që Kliton Gërxhani, shoqata shqiptare e tur-operatorëve u shpreh: “Ky do jetë një faktor që besoj do largojë një sasi te madhe të këtij tregu nga brigjet shqiptare dhe ne duhet të mendojmë një zgjidhje për këtë gjë sepse ky nuk është treg që vjen vetëm verë, por vjen edhe gjatë fundjavave rregullisht”.