Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kritikat e aleatëve janë të padrejta karshi situatës në veri të vendit.
Ai tha se Beogradi duhet ta bëjë hapin e parë drejt shtensionimit të situatës duke ndërprerë sipas tij, mbështetjen për milicinë fashiste dhe të njëjtit të ndiqen penalisht, përpara se Qeveria e Kosovës ta shqyrtojë zbutjen e qëndrimit të saj.
“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, tha Kurti në një intervistë për Bloomberg.
Tutje, Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të bëjë një reduktim të policisë në veri dhe do ta konsiderojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kërkesa këto siç kërkohen nga ShBA-ja e BE-ja, vetëm pasi Serbia të ndërmarrë hapat e parë.
“Nuk është në rregull të ngacmosh Kosovën. Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si”, tha Kurti.