Letra dërguar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, vjen në një kohë kur qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me tensionet e fundit në veri, diçka e pazakontë gjatë marrëdhënieve mes dy vendeve
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Uashingtonit që të mbështesë pa rezerva Kosovën, duke thënë se ajo po zbaton rregullat e shtetit ligjor kundër ndërhyrjes së Serbisë në çështjet e brendshme të saj.
Letra dërguar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, vjen në një kohë kur qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me tensionet e fundit në veri, diçka e pazakontë gjatë marrëdhënieve mes dy vendeve.
Njëri nga hartuesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se shtysa për letrën ishte shqetësimi se së fundmi trysnia amerikane ka qenë e njëanshme kundër Kosovës.
“Letra bën thirrje që të ketë një ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara për Ballkanin dhe të ketë më shumë mbështetje për shtete si Kosova dhe shtete të tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon e në veçanti për Kosovën”, thotë Gashi.
Gashi thotë se në letrën e hartuar prej tij dhe Besnik Pulës dhe nënshkruar nga 70 persona kërkohet “një mbështetje më të madhe për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje, pavarësisht personave të zgjedhur, pavarësisht legjitimitetit të cunguar.”
“Ne kemi parë që më herët kishte mbështetje për rezultatin e zgjedhjeve por pastaj nuk kishte mbështetje për këtë zbatim”, tha ai.
SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja në komunat e veriut dhe i kishin kërkuar qeverisë së Kosovës që të mos dërgonte kryetarët e zgjedhur me një numër të ulët votash pas bojkotimit nga partitë serbe, në godinat e komunave.
Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë të dërguarin e posaçëm Gabriel Escobar kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë fleksibiliteti dhe bashkëpunimi.
Gashi e pranon se qeveria e Kosovës duhet të ishte bashkërenduar më mirë me SHBA-në dhe se “insistimi në të drejtën është me rëndësi por jetësimi bëhet me atë lloj bashkërendimi”.
“Nëse ndjekim hap pas hapi zhvillimet ishin grupet që kanë lidhje me Presidentin Vuçiq, me regjimin e tij që bënë hapin e dhunës. Po qe se kalojnë këto raste pa u kritikuar me tonin që duhen kritikuar, Serbia vetëm se do të trimërohet kundrejt Kosovës, kundrejt vendeve të tjera (në rajon)”, thotë ai.
Gashi shton se letra kishte në qendër reagimin amerikan dhe perceptimin e njëanshmërisë prej saj dhe është një përpjekje e shqiptaro-amerikanëve për të ndikuar tek ekzekutivi dhe Kongresi në SHBA.
“Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe planit të zbatimit, një marrëveshje që për mendimin tim ishte pozitive, çonte më tutje marrëdhëniet e dy vendeve, lejonte që Kosova me të vërtetë të gëzojë një njohje de facto nga Serbia, pra prej marrëveshjes e këtej shohim që ka shumë kundërshtime që bën Serbia ndaj asaj marrëveshjeje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në pika të tjera”, thotë Gashi.
Ai shton se këmbëngulja e SHBA-së dhe BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është e drejtë.
“Mirëpo ne duam të ketë insistim si tek Kosova, si tek Serbia për zbatimin e asaj marrëveshjeje dhe në rastin e fundit, si tek Kosova dhe tek Serbia për gjendjen e sigurisë”.
Gashi thotë se Serbia ka një krizë të demokracisë “dhe nga SHBA presim që të flasin për demokracinë dhe ajo besoj do ta ribalanconte qasjen edhe kundrejt Kosovës dhe Serbisë”.
Escobar tha gjatë një interviste për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore në Beograd se kryeministri i Kosovës Albin Kurti në disa raste është një partner i vështirë, por gjithsesi është partner i Shteteve të Bashkuara.
Në intervistën e bërë publike të dielën, zoti Escobar tha se tani duhet të gjendet një mënyrë për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe palët menjëherë të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Diplomatët kanë paralajmëruar pasoja për Prishtinën dhe Beogradin në qoftë se nuk ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, hapjen e mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në tryezën e bisedimeve./VOA