Deda: Kosova, pa të drejtë, është në konfrontim skandaloz dhe me pasoja afatgjate me ata që na bënë shtet

Cenimi i raportit të Kosovës me SHBA-në dhe gjithë diskutimi që po ndodh ditëve të fundit që nga vendimi i Qeverisë për t’i çuar kryetarët në veri, e ka nxitur që të flasë edhe Ilir Dedën, i cili tashmë s’është aktiv në politikën kosovare, shkruan Express.

Deda ka shkruar se në gjithë këtë përplasjen pro dhe contra po harrohet se është hera e fundit që në qeverisjen amerikane janë njerëzit që e dinë kontekstin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë meqë kanë qenë edhe vetë të përfshirë në procesin e vendosjes së paqes, raporton Express.

“Në këtë përplasjen “për” e “kundër”, po harrohet që është hera e fundit që në establishmentin e Shteteve të Bashkuara janë njerëzit që e dijnë jashtëzakonisht mirë kontekstin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë, duke qenë direkt të përfshirë në të gjitha proceset e vendosjes së paqes”, ka shkruar Deda.

Ai thotë se brezat e ardhshëm nga dy kampet amerikane nuk do të kenë fare ndjesi për kontekstin e ngjarjeve të viteve të 90-ta dhe shpërbërjes së ish-Jugsollavisë.

“Brezat e ardhshëm – demokratë apo republikan – nuk do të kenë fare ndjesi për kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi”, ka shtuar tutje.

Deda thotë se Kosova me të drejtë kishte kundërshtuar projektin e ndarjes që përkrahje nga republikanët dhe se me të drejtë kishte kundërshtuar prishjen me aleatët gjatë përpjekjes për ta zhbërë Specialen.

Megjithatë thotë se sot Kosova pa të drejtë është vendosur në një përplasje skandaloze, shkurtpamëse dhe jashtëzakonisht të dëmshme me pasoja afatgjata me ata pa të cilët s’do të krijohej shteti i Kosovës, shkruan Express.

“Kosova, me të drejtë, kundërshtoi projektin e ndarjes se vet, që përkrahej nga administrata republikane.

Kosova, me të drejtë, kundërshtoi prishjen me të gjithë aleatët perëndimor gjatë tentimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale.

Por tash, Kosova – pa të drejtë – është në konfrontim skandaloz, shkurtpamës dhe jashtëzakonisht të dëmshëm e me pasoja afatgjata, me garantuesit e sigurisë dhe shtetësisë së vet, pa të cilët nuk do të krijohej shteti i Kosovës”, ka përfunduar ai./Express/