SpeciaIja: Thaçi tentoi ta minonte gjykatën dhe i ofroi përfitime disa prej të ftuarve nga Prokuroria

Në parashtresën e administratores së Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, për kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për vizitë të tij në Kosovë për qëllime humanitare, përmendet një vendim i panelit të Gjykatës Speciale. Sipas këtij vendimi, ish-presidenti Thaçi ka tentuar që ta minojë Gjykatën Speciale dhe t’iu ofrojë përfitime disa nga të ftuarve nga Prokuroria Speciale.

Parashtresa e Administratës që ka parë Gazeta Insajderi i referohet arsyetimit të dhënë në vendimin efundit të panelit të gjykatësve për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit Thaçi.

“Paneli tashmë ka përcaktuar dhe mban qëndrimin se z. Thaçi ka: (i) [REDAKTUAR]; (ii) tentoi të minonte Gjykatën Speciale dhe ofroi përfitime për personat e thirrur nga ZPS-ja; (iii) pozicion ndikimi në Kosovë që mund t’i mundësonte atij të nxiste mbështetjen e simpatizantëve; dhe (iv) duke pasur parasysh fillimin e gjykimit, ka njohuri shtesë për provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij”, thuhet në vendimin e prillit për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, të cilit iu është referuar Administrata e Dhomave të Specializuara në parashtresën e 24 majit.

Parashtresa e Administratës së Dhomave të Specializuara, pjesa ku thuhet se Paneli i Gjykatësve mësuan se Thaçi tentoi ta minonte Gjykatën Speciale dhe iu ofroi përfitimeve disa nga personave të ftuar nga ZPS-ja

Në argumentet e parashtruara të Administratorës për kërkesën për vizitë të Thaçit në Kosovë njoftoi se mbrojtja kërkoi që ish-presidenti të qëndronte në Kosovë për katër ditë.

“Më 23 maj 2023, z. Thaçi ka dorëzuar një kërkesë për lirim të përkohshëm për arsye humanitare “për një periudhë prej katër (4) ditësh me qëllim që ta lejojë të vizitojë nënën e tij e cila është duke vuajtur nga një problem kritik mjekësore dhe t’i ofrojë ngushëllim babait të tij dhe anëtarë të tjerë të ngushtë të familjes”, bëhet e ditur në parashtresë.

Shqetësim tjetër i ngritur nga Administrata është mos-dhënia e adresës së saktë të familjes nga ana e Thaçit.

“Për sa i përket vendndodhjes së adresës së familjes, Sekretari vëren se z. Thaçi nuk ka dhënë adresën e saktë të vendbanimit të nënës së tij, por ka treguar se vendbanimi ndodhet në [REDAKTUAR]. Administrata kërkon që të jepet vendndodhja e saktë”.

Për shkak të këtyre arsyeve, Administrata kërkoi që Thaçi të qëndronte një ditë, gjë që më vonë u aprovua nga paneli i gjykatësve.

Ish-presidenti Thaçi erdhi në Kosovë më 29 maj. Ai, nën masa të ashpra të sigurisë shkoi në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt, për ta vizituar nënën e tij.

Atij iu është lejuar të vizitojë vetëm prindërit e tij.