Nga Viktor Buzhala
Vera po ofron. E sa herë vjen vera, biznesmenët kosovarë i mbrehin shpatat. Shtrenjtojnë çmimet.
Gjithçka fillon me biletat e aeroplanit. Më së shumti mërgimtarë kemi në Gjermani. Aty biletat bëhen më të shtrenjtat. Për miljet e kaluara, paguajnë çmimet më të lartat në botë. Në pikun e sezonës nuk gjen thuajse kurrë biletë vajtje-ardhje nën 500 euro.
Për ilustrim, javën e kaluar isha në Gjermani. Bileta drejt atjehit më kushtoi 90 euro. Nga atje, për këtu 40 euro. Por, kjo ndryshon drastikisht kur vie taman vera. Çmimi i ardhjeve rritet ndjeshëm. I shkuarjeve zvogëlohet.
Padyshim që kjo nuk ka të bëjë me ekonominë e tregut. Ka të bëjë me treg të kontrolluar, me oligopol, ku disa kompani merren vesh ti fiksojnë çmimet në kurriz të mërgimtarëve.
Këtu duhet të ndërhyjë shteti. Tregu duhet të sillet me konkurrencē e jo njësoj. Jo t’ua zënë pritën mërgimtarëve, që janë bosjti kurrizor i ekonomisē tonë, dhe ti rrjepin sipas dëshirës së vet.