Kurti ‘godet’ Vuçiqin: Duke u sjellur mirë me një autokrat si ai, e ka përkeqësuar qasjen e tij ndaj nesh

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për France24, e ka quajtur autokrat presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas kryeministrit Kurti, të sjellurit mirë ndaj tij e ka përkeqësuar qasjen që Vuçiq e ka ndaj Kosovës.

Kurti tha se për shumë vite me radhë, Kosova e ka toleruar sjelljen prej autokratësh të Serbisë, që shtoi se është e lidhur ngushtë me Moskën.

“Politikani më i admiruar në Serbi nuk është presidenti apo kryeministri i tyre, apo ndonjë personazh i famshëm, por presidenti despotik Vladimir Putin. Dhe mendoj se sjellja e jonë e tepruar [për së miri] me autokratët si presidenti Vuçiq e përkeqësoi sjelljen e tij [ndaj Kosovës]”.

“Dhe tani po marrim të korrat e asaj që kemi mbjellë për kaq shumë vite duke toleruar sjelljen autokratike të Beogradit, i cili, natyrisht, është rreshtuar me Moskën, sepse të dy kanë lidhje kulturore dhe historike në njërën anë, por edhe aktivitete të përbashkëta ushtarake dhe energjike”, deklaroi Kurti në France 24.

Tutje, Kurti listoi edhe lidhjet që ai tha se Serbia i ka me Federatën Ruse, njëra prej të cilave tha se është inati i përbashkët për suksesin e Kosovës.

“Gazprom zotëron 63% të industrisë së naftës në Serbi, dhe 51 për qind të depove më të mëdha të gazit në Evropën Juglindore, që ndodh të jetë në Vojvodinë të Serbisë. Pra, ka kaq shumë lidhje mes Serbisë dhe Federatës Ruse dhe gjithashtu ata të dy e urrejnë faktin që Kosova është një histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin serb në pranverën e 99-ës dhe e përparimit demokratik dhe ekonomik që shkon dorë për dore”, tha Kurti.