Kryetari i Preshevës: Kosova nuk është Republikë e Albin Kurtit!

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka dalë me një video-mesazh pas deklaratave të fundit të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar lidhur me raportet e SHBA’së me Qeverinë e Kosovës pas situatës së tensionuar në veri.

Arifi tha se Kosova nuk është Republikë e kryeministrit Albin Kurtit.

“Jam shumë i shqetësuar me deklaratat e fundit të zv. ndihmësit ministrit të SHBA’së, z.Escobar në lidhje me partneritetin dhe bashkëpunimin e SHBA’së me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Askush nuk ka legjitimitet moral e aq më pak politik të i acaroj dhe dëmtoj miqësinë historike me SHBA’të. Kosova nuk është Republika e Albin Kurtit, por e komandantit legjendar Adem Jasharit si dhe flijimit të familjes së tij, të gjakut të dëshmorëve të UÇK’së, të luftëtarëve të veteranëve të UÇK’së”, u shpreh Arifi.

Tutje, Arifi bëri edhe një thirrje për kryeministrin Kurti.

“I bëjmë thirrje shokut Albin që të ndaloj së shkaktuari dëme të thella Kosovës tonë, për të cilën aq shumë është punuar dhe aq shumë është sakrifikuar”, tha kryetari Arifi.