Moska kërkon gjakderdhje në Kosovë, ambasadori rus del me skenar ogurzi dhe “thumbon” Vuçiqin

Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko ka deklaruar se situata në veri të Kosovës mund të përfundojë në gjakderdhje, teksa ka goditur Vuçiçin mbi protestat që po zhvillon opozita dhe planin e sanksioneve.
Rusia vijon të nxisë tensione dhe trazira në veri të Kosovës. Tërheqja e Vuçiçit dhe negociata që po bëjnë Franca, Gjermania e SHBA si duket po prishin planin e trazirave dhe Moska ka nxituar të hidhet në sulm.

Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko tha sot se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se mund të çojë në gjakderdhje. Pra duket se rusët kërkojnë gjak.

“Kjo situatë është e rrezikshme, sepse mund të ketë një shpërthim edhe më të madh të konfliktit, konflikt që mund të çojë në gjakderdhje në veri të Kosovës. Po ashtu një gjë e tillë mund të çojë në përhapjen e tensioneve në të gjithë Ballkanin ose të paktën në një pjesë të Rajonit të Ballkanit”, tha ai për “RT Balkan”.

Ambasadori shtoi se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në tërësi gjithmonë tregojnë një qasje të njëanshme për zgjidhjen e problemeve.

Sipas të dërguarit rus në Serbi, vështirë se mund të gjesh ndonjë rast apo fazë për zgjidhjen e problemeve në ish-Jugosllavi, duke filluar nga viti 1991.

Ai theksoi se marrëveshjet e arritura para më shumë se 10 viteve dhe mbi të gjitha formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe kanë mbetur vetëm në letër.

“Nëse do të kishte dëshirë për një ndërmjetës të tillë si Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga Amerika, shumë lehtë do ta bindnin Prishtinën që ta zbatonte atë që u nënshkrua”, tha ambasadori rus.

“Në një situatë të tillë, regjimi i Prishtinës mund të bëjë çfarëdo që i vjen në mendje dhe të mbrojë drejtpërdrejt vetëm interesat e saj. Dhe interesi i tyre sigurisht nuk është normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin dhe garantimi i sigurisë dhe jetës normale për serbët në veri, por vendosja e kontrollit të plotë mbi të gjithë territorin”, tha ambasadori.

Duke komentuar protestat e opozitës që po zhvillohen në Serbi, Bocan-Kharchenko tha se protesta të tilla nuk kanë ndodhur vetëm një herë, dhe se është një presion i dukshëm ndaj lidershipit të Serbisë, presidentit Vuçiç dhe qeverisë “në të gjitha frontet”. Pra duket se i ka dhënë një goditje ndaj presidentit. Po ashtu ai ka treguar hapur se frika e Rusisë është se Vuçiç do ndryshojë kurs.

“Fronti i parë është Kosova, i dyti është Beogradi ose anasjelltas, qëllimi apo detyra e Perëndimit është të ndryshojë politikën e Serbisë. Perëndimit i duhen dëshpërimisht dy gjëra, njohja apo mbështetja e Serbisë me sanksione anti-ruse dhe sigurisht, njohjen e Kosovës”, tha ambasadori rus.

Ai shtoi se Perëndimi nuk mund të pajtohet me faktin se Serbia është kundër sanksioneve anti-ruse dhe se nuk lejon që të përfundojë formimi i barrierave anti-ruse në Evropën Lindore.