Këshilltari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit Derek Chollet ka njoftuar në Twitter se ka komunikuar në telefon me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Chollet ka treguar se Vuçiqit i ka kërkuar që t’i qetësojë serbët në Veri dhe t’i kthehet dialogut.
“Dje e inkurajova Presidentin Vuçiq që t’i kërkojë serbëve të Kosovës të jenë të qetë, të marrë hapa që ndihmojnë zbutjen e krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Chollet.
Ndryshe, me Vuçiq ka komunikuar edhe Zëvendësi i Jake Sullivan, Jon Finer, nga Shtëpia e Bardhë, i cili i ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për situatën e tensionuar në veri të Republikës së Kosovës. Finer ka bërë thirrje që të dy palët të marrin hapa për deeskalimin e situatës.
Gjithashtu, njeriu i Joe Biden i ka kërkuar Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat ushtarake të stacionuara në afërsi të kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë dhe gjithashtu t’iu bëjë thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë në veri të Kosovës.
“Z. Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë./Express/