Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb.
Sipas tij Kosova në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku po përfaqësohet nga presidentja Osmani nuk kanë pranuar që të bisedojnë.
“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Situata në Kosovë, së bashku me Ukrainën, u bë temë kryesore e takimit të Komitetit Politik Evropian. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, tha Vuçiq.
I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.
“Pas kësaj duhet të fokusohemi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u nënshkrua dhjetë vjet e gjysmë më parë me Marrëveshjen e Brukselit. Besoj se njerëzit tani e kanë një pasqyrë më të qartë të asaj që po ndodh, pavarësisht se a e njohin vendet e tyre Kosovën apo jo”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi.
“Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiq.