Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj ka komentuar bisedën telefonike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer, ku u përmendën edhe zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.
Rexhaj, duke folur në emisionin DPT te Fidan Jupolli ka thënë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje të menjëhershme dhe blanko, por sipas tij do të ketë një proces ligjor dhe një proces de-kriminalizimi nga bandat në veri së pari.
Rexhaj ka thënë se më nuk do të ketë sanksione amerikane ndaj Kosovës.
“Aty është një hapësirë dhe një kohë. Nuk është fjala për zgjedhje blanko, të drejtpërdrejta, të menjëhershme. Është një proces. Besoj që kryeministri përmes tëeet-it të tij ka dashur ti thotë dy gjëra: që marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë ashtu siç duken nga jashtë, nuk do të ketë sanksione të reja për Republikën e Kosovës”, ka thënë Rexhaj në emision.
Sipas Rexhajt, Kurti gjithashtu ka kërkuar që para zgjedhjeve, veriu të de-kriminalizohet nga bandat që kanë demonstruar dhunë ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
“Ai ka dashur të thotë që zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, nuk mund të mbahen në mënyrë blanko, sic dëgjoj analistë e opozitarë, si një marrëveshje blanko politike. Deri në zgjedhjet ka një proces, pra de-kriminalizimi i bandave kriminale, i atyre brigadave 72 që sulmuan edhe KFOR-in edhe me armë zjarri”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, përmes kësaj telefonate është dëshmuar që VV nuk i ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, siç është akuzuar ditëve të fundit.
“Mesazhi i kryeministrit është që mohon ato zëra që VV i ka prishur marrëdhëniet me SHBA-në.” /GazetaExpress