Admirali i NATO-s, Stuart B. Munsch e Komandanti i KFOR-it në Kosovë kanë bërë thirrje që të gjitha palët të marrin përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur të hënën e 29 majit para objektit të Komunës së Zveçanit. Munsch ka thënë se përgjegjësi duhet të marrin sidomos ata që kanë krijuar kushtet për dhunë në këtë ditë. Thirrje të njëjtë ka pasur edhe komandanti i KFOR-it. Ndaj kësaj thirrje ka reaguar kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media ka thënë se s’mund të marrin përgjegjësi ata që po punojnë e që po marrin pjesë në zgjedhje demokratike. Sipas kreut të ekzekutivit, përgjegjësi duhet të marrin ata që kanë braktisur objektet, që kanë bojkotuar zgjedhjet e që po kryejnë dhunë.
Gazeta Express
Vendimi për të çuar kryetarët e komunave veriore me përcjellje të rreptë policore në objektet komunale, veprim ky kundër këshillës ndërkombëtare, ka vendosur Kosovën në një pozicion të vështirë në raport me aleatët.
Kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që më 26 maj kanë reaguar të parat, duke thënë se dënojnë veprimet e Kosovës që me dhunë të futen në objektet te komunave dhe kanë kërkuara masa të menjëhershme për de-eskalim të situatës.
Rikthimi i tensioneve me datën 29 dhe plagosja e 30 ushtarëve të KFOR-it ka rritur edhe më shumë shqetësimet ndërkombëtare. NATO ka miratuar dërgimin e 700 trupave shtesë në Kosovë ndërkohë që kanë aktivizuar edhe një batalion tjetër të cilin e kanë vendosur në gatishmëri të lartë.
Këtë e ka konfimruar dje Admirali i NATO-së, Stuart B. Munsch, i cili ka ardhur për një vizitë në Kosovë pas tensionimit të gjendjes. Munsch përveç tjerash ka bërë thirrje për të gjitha palët që të përmbahen nga vendimet dhe veprimet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe në vend të kësaj të angazhohen për negociata politike.
“Të gjitha palëve, përfshirë ato që vendosën kushtet për dhunën më 29 maj, të përmbahen nga vendimet dhe veprimet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe në vend të kësaj të angazhohen në negociata diplomatike në mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet, brenda kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”, ka thënë Munsch dje.
Edhe komandanti i KFOR_it Angelo Michele Ristuccia, ka bërë thirrje që të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë për situatën e krijuar.
“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme.”, ka deklrauar ai.