Paradite tha “nuk takohem me Vuçiqin”, pasdite u takua me buzëqeshje – si e lëshoi “bajrakun” presidentja Osmani?

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme, megjithatë e lëshoi “bajrakun”.
Në vigjilje të Samitit të liderëve evropianë në Moldavi, e parja e shtetit pohoi se nuk do të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, përcjell lajmi.net.

Siç tha ajo, nuk ishte një plan të takohet me Vuçiqin, pasi vendtakimi për negociata është në Bruksel.

“Nuk e kemi në plan të takohemi me Vuçiqin. Dialogu në mes të Kosovës e Serbisë, organizohet në Bruksel. I takon zotit Borrell nëse ai mendon se është e domosdoshme të bëhen takime të tilla. Ne jemi në favor të dialogut, por insistojmë që ato për të cilat dakordohemi të zbatohem. Ju e dini që Vuçiq disa herë ka thënë se nuk do të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Shpresoj që nga liderët evropianë të kërkohet që ai të zbatojë këto obligime”, kishte thënë paraditën e së enjtes Osmani në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi.

Megjithatë, nga cicërima në “Twitter” e shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, shihet se Vjosa Osmani është takuar me Vuçiqin.

Madje, nga pamjet që pozicionohen më poshtë, Osmanit nuk i mungon as buzëqeshja. Nuk dihet kush mund ta ketë bindur atë që të takohet me Vuçiqin.

I rëndësishëm është fakti se Osmani shihet pranë kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kurse siç është raportuar tashmë, ky i fundit bashkë me presidentin Macron, i kanë kërkuar asaj zgjedhje të reja në veri.