Gazetarja e CNN-it, Bianca Nobilo ka treguar në detaje se çfarë po ndodh në veri të Kosovës. Ajo është munduar që brenda dy minutave të shpjegojë një histori 1000 vjeçare mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Çfarë fshihet pas tensioneve të ndezura mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përplasjeve të dhunshme në Kosovë këtë javë?“, ka shkruar udhëheqësja e emisionit “The Global Brief”.
Gazetarja pohon se tensionet janë ngritur pasi kryetarët shqiptarë të komunave, ku shumica e popullsisë janë serbë, kanë marr drejtimin e bashkive.
Nobilo tregon se kjo ka ndodhur pasi kryetarët serbë së pari dhanë dorëheqje prej drejtimit të komunave dhe më pas qytetarët e komunitetit serbë bojkotuan zgjedhjet që i ka njohur bashkësia ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu tregon se si në Kosovë jetojnë mbi 90 për qind shqiptarë dhe rreth 10 për qind serbë dhe se vendi ynë ka qenë fillimisht nën pushtimin e Perandorisë Osmane dhe më pas të Serbisë.
Kujtojmë se ajo më parë kishte intervistuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti rreth pushtimit rus në Ukrainë dhe ndikimit të saj në Kosovë.
Ndryshe, Nobilo jeton dhe vepron në kryeqytetin britanik, Londër ndërsa së fundi ka filluar të shpjegojë përmes rrjeteve sociale se çfarë po ndodh në zonat e nxehta të ndryshme të botës.