Për Aidan Hehir ligjëruesin në Universitetin Westminster në Angli, situata e krijuar në Veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë për të vendosur kryetarët në ndërtesat e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nën asistencën e Policisë së Kosovës, pa koordinim me aleatët e saj, ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiç.
Pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje e masave të dhunshme në Kosovë.
DASH-i dënoi atë çfarë ndodhi në Veri duke vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Reagim pothuajse të njëjtë patën edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të cilët bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që në mënyrë imediate të tërhiqen dhe ta de-përshkallëzojnë situatën në Veri.
Megjithatë sipas Hehir, gjithë në këtë mes, Serbia duhet të jetë shteti i cili duhet të sanksionohet e të dënohet nga komuniteti ndërkombëtar, e jo Kosova.
“Kosova nuk po e sulmon askënd, ajo është shtet i pavarur. Serbia është i vetmi vend i cili duhet të sanksionohet dhe duhet të dënohet për mbështetjen ndaj Putinit dhe Rusisë për aktivitetet destabilizuese të saj në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Hehir.
Në Ballkanin Perëndimor, sipas Hehir, është vetëm një shtet i cili në mënyrë të vazhdueshme po nëpërkëmb të drejtat e njeriut.
“Serbia është një kërcënim për fqinjët e saj”, ka thënë Hehir në një intervistë për France24 duke shtuar se komuniteti ndërkombëtarë në këtë rast “duhet të mbështesë shtetet si Kosova të cilët po përpiqen të integrohen me botën perëndimore të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, NATO të cilët mbështesin demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.