Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – nëpërmjet një komunikate për media, të martën u mundua të shfajësohej nga sulmet e protestuesve serbë, të cilët lanë të lënduar dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).
“Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, sepse kushdo që e bën këtë punon kundër interesave të popullit serb”, thuhet në deklaratën e tyre, vetëm një ditë pasi protestuesit serbë në veri të vendit lënduan rëndë trupat hungareze e italiane të KFOR-it.
“Pasi mësuan se në media u shfaqën informacione se sonte është hedhur një mjet shpërthyes ndaj ushtarëve të KFOR-it në afërsi të ndërtesës së komunës së Zveçanit, përfaqësuesit e Listës Serbe janë nisur menjëherë në vendngjarje dhe në një bisedë me përfaqësuesit e KFOR-it në terren kanë marrë vesh se ishte një fishekzjarre”.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëherit e përkrahur dhe dirigjuar nga Qeveria e Serbisë, e cila që qeverisi në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – prej vitit 2013, nuk mori pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Tash, përfaqësuesit e saj po negociojnë me KFOR-in dhe po kërkojnë që kryetarët e rinj të tri komunave atje të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj ishte edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu i vendit.
Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.
Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.
Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.
Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.
Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.