“Kam vuajtur shumë”, Kurti: Dua t’i mbroj serbët e Kosovës, e di se si është të ndihesh i pa zë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është kryeministër jo vetëm i popullësisë kosovare por edhe i të gjitha pakicave që jetojnë në Kosovë, përfshi këtu edhe komunitetin serb në veri.

Duke folur në margjinat e konferencës “GLOBSEC” në Bratislavë, Kurti tha se është i gatshëm të takohet me presidentin Vuçiq për marrëveshjen dhe se qëllim ka t’i mbrojë edhe serbët e Kosovës përmes vetëmenaxhimit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ai tha se e di se si është të ndihesh i nënvlerësuar, dhe se nuk do që komuniteti serb ta përjetojë të njëjtën gjë.

“Jam shumë i gatshëm sepse më pëlqen marrëveshja, njohja de-fakto edhe vetë-menaxhimi i komunitetit serb që do ta respektoj sepse dua të mbroj të gjithë serbët. Unë jam edhe kryeministër i tyre. Dhe unë kam vuajtur shumë në jetë, nuk dua që të tjerët të vuajnë. E di se çfarë do të thotë të ndihesh i papërfaqësuar, të ndihesh pa zë. Pra, dua të angazhohem me komunitetin serb për të drejtat e tyre, ata duhet të përfitojnë në fund”, deklaroi Kurti.

Mirëpo, kreu i ekzekutivit tha se “nuk mund ta kompensoj presidentin Vuçiq humbjen që pati Serbia si shtet nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë jam aty për t’u siguruar që serbët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat”.

Kryeministri Albin Kurti rrugëdaljen nga tensionet në veri e ka përshkruar si “hekurudhë të drejtë me dy binarë”.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.

Kurti në Bratislavë ka thënë mesazhi i SHBA-së ishte i fortë dhe se po përpiqen që të gjejnë rrugëdalje.

“Ju pyetët a jeni i frikësuar, apo i brengosur. Jam i brengosur gati gjithë kohën, po nuk frikësohem. Sepse prapë është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosem. SHBA-ja ka përçuar një mesazh të fuqishëm, po përpiqemi fort që të gjejmë rrugëdalje, dhe rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar, por një hekurudhë. Dy shina, dy binarë së pari të dalim nga kriza në veri, që do të thotë sundim i së drejtës: huliganët ose kthehen në Serbi, ose burgosen në Kosovë dhe pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe normalizojmë situatën.

Binari i dytë është zbatimi i shpejtë i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit që jemi dakorduar”, u shpreh Kurti ndër të tjera.