Analisti amerikan, Janusz Bugajski, është pajtuar me kryeministrin Albin Kurti se deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ishte naive dhe ka vlerësuar se përpjekja për të krijuar një Serbi të madhe, me presion dhe dominim, është e dukshme
Analisti amerikan, Janusz Bugajski, gjersa ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, në veçanti për raportet ShBA-Kosovë, ka deklaruar se pajtohet me kryeministrin Albin Kurti se deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka qenë naive.
“Duke marrë parasysh zhvillimet ne Ukrainë e Rusi, pastaj në zhvillimet në rajon, përpjekja është për t’u krijuar një Serbi e madhe, ndonëse jo me dhunë, por me presion e dominim dhe kush nuk sheh se çfarë po ndodh, është naiv. Prandaj, pajtohem me Kurtin, por them që edhe ai të tërhiqet një hap prapa e ta vërë veten në pozitën e SHBA-së dhe të përpiqet të krijojë një argument të tillë, sepse kjo do të vazhdojë të ndodhë, pastaj në një moment të caktuar nuk do të arrijë të bëjë një shtensionim të situatës”, deklaroi Bugajski.
E për kërkesën e Blinkenit për tërheqjen e institucioneve të Kosovës nga veriu, Bugajski ka shtuar se e gjithë Kosova ose i përket institucioneve të saj, ose nuk i përket.
“Washingtoni duhet të vendosë nëse Kosova mund të funksionojë me institucionet e saj në të gjithë territorin apo t’i lëmë separatistët të rriten e të financohen nga Beogradi që të bëjnë trazira të tilla”, derisa ai vuri krahasimin me Luginën e Preshevës, në kërkesat e ngjashme.
“Pra, duhet konsistencë, demokraci e implementim të marrëveshjeve sa i përket statusit përfundimtar që nënkupton njohjen e ndërsjellë, dhe nëse nuk ndodh kjo, do të kemi më shumë konflikt”, ka deklaruar tutje Bugajski.
Po ashtu, ai ka thënë se kohëve të fundit po vërehet se ka njëlloj tendence të favorizimit të shteteve në rajon si të Kroacisë, Serbisë e Shqipërisë, në vend të Bosnjës, Kosovës e të tjerë. “Pra, duke se ka një qasje dyshtresore. Sa më agresiv që je, merr më shumë koncesione, ndërsa vendet e vogla nëse je agresiv, atëherë vihesh nën presion”.
“Kjo administratë duke i shërbyer dominimit, më shumë i shërben jostabilitetit, më shumë konfliktit e dhunës”, sqaroi më tej Bugajski.
I pyetur se në çfarë pike janë raportet mes Kosovës e SHBA-së pas reagimit të sekretarit Blinken ndaj situatës në Kosovës, Bugajski ka thënë se për gjendjen e tanishme më së shumti gëzohet Beogradi.
“Ky bashkëpunim do të duhej të riparohej dhe SHBA duhet ta thonë qartë se çfarë nënkupton me ‘normalizim të marrëdhënieve’ dhe si të arrihet atje, që duhet të nënkuptojë njohjen e ndërsjellë, sepse kemi pasur shumë marrëveshje, por asnjë lloj zbatimi”, ka deklaruar Bugajski, teksa ka shtuar se më pak se kaq do të kemi probleme të përsëritura, sidomos nga ana e Serbisë, e cila do ta destabilizojë situatën dhe do të pengojë çfarëdolloj marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve.
“Washingtoni duhet të marrë një hap prapa, të marrë frymë e ta kuptojë se çfarë po ndodh. Pra, duhet të ulet me të dyja palët dhe të gjejë një marrëveshje”, ishte përgjigjja e Bugajskit lidhur me atë se në ç’pikë janë raportet me SHBA-së dhe Kosovës.
E për qasjen kritike të administratës amerikane kundrejt Kosovës, Bugajski ka deklaruar se ky është problemi që kjo administratë po e fajëson një administratë që përpiqet ta zbatojë marrëveshjen, rezultatet e zgjedhjeve, duke shtuar se nuk mund të mbështesësh demokracinë dhe ta minosh demokracinë në të njëjtën kohë.
Mocioni për rrëzimin e Qeverisë
Bugajski kritikoi këtë qasje të opozitës, duke thënë se Qeveria është në një presion të madh dhe nuk duhet të sulmohet ajo. Ai këshilloi që opozita të mbështesë qeverinë që të jenë bashkë.
“Tani duhet të kenë unitet kundrejt SHBA-së dhe vullnet për t’u kontrolluar gjithë territori dhe për të ecur drejt normalizimit me Serbinë”, ka deklaruar Bugajski në Radio Televizionin e Kosovës.
Ai, më tej, ka shtuar se “një front i bashkuar brenda Kosovës i ndihmon jo vetëm opozitës si të tillë, bile edhe në Serbi, por ndihmon të gjitha forcat që dëshirojnë ta shohin Kosovën si të suksesshme”.
Shtensionimi i raporteve ShBA- Kosovë
Lidhur me raportet SHBA-Kosovë, Bugasjki ka shprehur besimin se do të shtensionohen dhe nuk do të arrijnë deri te ajo pikë sa marrëdhëniet të mund të shkëputen apo që të ketë zgjedhje të reja.
Bugasjki ka kritikuar administratën e Biden-it për mungesë të vëmendjes së duhur në atë se çfarë është duke ndodhur në Serbi.
Ai vuri në dukje interesimin e Vuçiqit për ta përdorur situatën në Kosovë, për të ruajtur pushtetin vetë, përmes ngritjes së nacionalizmit atje, ndërsa nuk mbështet opozitën në serbi që të krijohet një pushtet tjetër.
Bugasjki në fund ka thënë se administrata Bidenit mbështet autokracinë dhe fajëson demokracinë, që sipas tij, është politikë e dështimit.