Zëvendëskryeministri Bislimi: Grafitet nacionaliste dhe pro Kremlinit duhet të dënohen nga të gjithë

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, priti në takim gjatë ditës së sotme zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries.

Në njoftim thuhet se palët diskutuan dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku Bislimi dënoi dhunën e përdorur ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, duke shtuar se protesta është keqpërdorur nga bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi për qëllimet dhe motivet e tyre kriminale.

“Grafitet nacionaliste dhe pro-Kremlinit nga ekstremistë të maskuar e grupe kriminale, janë po ashtu tregues kryesorë të motiveve prapa veprimeve të dhunshme, të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, ka thënë Bislimi.

Ai shtoi se qëndrojnë të përkushtuar në bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. Gjithashtu, sipas tij, është e rëndësishme mundësimi i kushteve normale, përmes të cilave kryetarët e zhvillojnë punën, përgjegjësinë e detyrimet e tyre ndaj qytetarëve.

Në këtë takim zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa zëvendëssekretari Fries nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.