Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim të sotëm me gazetarë, ku pjesëmarrës ishte edhe Drejtori i Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka dhënë detaje në lidhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj qeverisë së Kosovës pas veprimit të së premtes për t’i dërguar kryetarët e tri komunave veriore me polici nëpër objektet komunale.
Ai ka thënë se përpos anulimit të pjesëmarrjes së Kosovës në “Defender Europe 2023” dhe ndalimit të lobimit te shtetet mosnjohëse, po mendojnë edhe implikime e veprime tjera.
“Po mendojmë edhe implikime tjera”, tha mes tjerash Hovenier, dhe shtoi: “Jemi duke i shqyrtuar veprimet tjera”, raporton Klankosova.
Ai tregoi se kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të veprojë drejt depërshkallëzimit të situatës në veri, por theksoi se ai nuk u ka kthyer përgjigje.
“Më duhet të them se në këtë moment kemi kërkuar shumë direkt nga kryeministri Kurti që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të depërshkallëzuar situatën në veri.
Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave”, theksoi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.