Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Berisha përmes një postimi në Facebook akuzon presidentin serb Aleksandër Vuçiç se në bashkëpunim me Kremlinin po kërkon destabilizimin e Kosovës.
Sipas Berishës, në Kosovë janë dërguar banda kriminelësh nga Beogradi si dhe ato serbe lokale.
Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës.
Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë.
Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës.