Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve në Zveçan duke deklaruar se sa më shumë zgjatet ky konflikt aq më shumë lëndohet Kosova.
Lajmi u bë i ditur nga kryeqeveritari, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.
“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova!”, shkruan fillimisht Rama.
Sipas tij, nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, “dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”.
“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri shqiptar.
Më herët, kreu i Qeverisë bëri thirrje që të “mos ecet më tej në këtë shteg”, ndërsa iu bashkua apelit të ndërkombëtarëve – SHBA-ve dhe BE-së.
“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan kreu i Qeverisë.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?!”, pyet ai.
“Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, thekson Rama duke kujtuar edhe reagimet e SHBA-ve dhe BE-së.
Reagimi i autoriteteve shqiptare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri Olta Xhaçka, reagoi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës duke deklaruar se de-përshkallëzimi është vendimtar.
Ndër të tjera ajo bëri thirrje se sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër KFOR-it dhe shtypit duhet të ndalen menjëherë.
“Sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër NATO_KFOR-it dhe shtypit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë! Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe urojmë shërim të shpejtë për ushtarët e lënduar të KFOR-it. De-përshkallëzimi tani është vendimtar!”, shkruan fillimisht kryediplomatja shqiptare në Twitter.