Çfarë ju solli këtu? – Von Cramon flet pas konfrontimit me Policinë e Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka folur për konfrontimin me policinë e Kosovës që kishte dje në Leposaviq.

“Në një ndërtesë komunale të shohësh njerëz dhe autoblinda të armatosura atëherë pritet të krijohet një situatë që nuk është normale, të bën të mos ndihesh mirë. Unë kam pyetur se çka po ndodhë pse është gjithë kjo forcë e armatosur, e di që nuk është dëshirë e tyre por vendim i dikujt tjetër thjesht kam bërë një pyetje si një politikane”, deklaroi Cramon në një konferencë me gazetarë, raporton Insajderi.

Tutje, ajo tha se e njeh prapavinë politike të gjithë situatës së shkaktuar në veri.

“Unë e njoh prapavinë politikë të gjithë kësaj situate por njëhkohësisht duhet të shohim edhe gjendjen e civilëve të cilët nuk mund ta zhvillojnë normalisht jetën e tyre. Sjellja e policisë nuk shkon me situatën e cila është krijuar në veri. Unë e kuptoj se kryetarët janë zgjedhur por me një përqindje të vogël të daljes në votime. Situata nuk koroespodon me tërë ato forca të vendosura atje”, tha zyrtarja evropiane.

“Ku është kërcënimi? Pse… Çfarë ju solli këtu?”, ishte kjo pyetja që ajo ia bëri dje njërit prej policëve në veri.