Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në një prononcim për “Ekonomia-Online”, ka paralajmëruar se shumë shpejt, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të “dështimit” të pushtetit për të siguruar shumicën në Parlamentin e Kosovës.
“Nuk do të shkojë më shumë se pesë muaj bazë zhvillimeve të cilat janë brenda kuvendit që vendi do të shkojë në zgjedhje. Do të shkoj në zgjedhje për shkak të dështimit të kësaj Qeverie për të siguruar shumicën në kuvend por edhe për të fajësuar të tjerët për dështimet e tyre”, tha ai.
Ky problem vazhdimisht e ka shoqëruar punën parlamentare, mirëpo ngritja numrit të seancave që dështojnë për shkakun e mungesës se kuorumit është shqetësuese, posaçërisht duke marrë parasysh ngarkesën që kjo praktikë i shkakton agjendës parlamentare.
Haxhiu ndër të tjera pretendoi se ekzistojnë mosmarrëveshje të thella brenda partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – ndërsa shtoi se në bazë të këtyre mosmarrëveshjeve ndër-partiake “pritet që të ketë edhe largime të tjera nga VV-ja”.
“Duket që ka mosmarrëveshje të thella brenda grupit parlamentar të VV-së. I keni parë edhe me rastin e votimit të disa ligjeve që kryetarja e grupit parlamentar vraponte për t’i lutur deputetët për t’i votuar ligjet të cilat i ka sjell qeveria”, pohoi deputeti i PDK-së.
“Ka një mosmarrëveshje të grupit të interesit përbrenda vetë grupit parlamentar të VV-së. Tani më i kemi disa largime nga grupi, pritet që të ketë edhe largime të tjera, në bazë të zhvillimeve të cilat po janë përbrenda kuvendit”, shtoi Haxhiu.
Numri i deputetëve të Grupit Parlamentar të VV-së, ka rënë në 55 nga 58 sa i kishte dy vite më parë kur u votua Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin. Deputetët nga radhët e kësaj partie, Doarsa Kica, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli, i kanë ndarë rrugët me partitë në pushtet për shkak të paknaqësive.