E premtja e 26 majit e gjeti veriun e Kosovës në një tjetër përleshje midis Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë pas përpjekjve të kryetarëve të rinj të komunave veriore për t’u vendosur në zyret e tyre. Situata e krijuar atje dhe kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dërguar ushtrinë rriti shqetësimet e aleatëve të Kosovës, në vazhdën e frikës nga një përshkallëzim i situatës që mund të shkaktojë akte të mëtejshme të dhunshme dhe paqëndrueshmëri. Ndonëse në reagimin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u tha se veprimet e djeshme ishin “në kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është shumë i shqetësuar për këtë situatë, duke shprehur madje bindjen e tij se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetjen e vendosur të Perëndimit.
Përkundër faktit se reagimet e djeshme të aleatëve të Kosovës për situatën në veri zbuluan mungesën e koordinimit, duke komentuar këtë, Kurti në një prononcim të fundit për RTV Dukagjinin, shpreh besimin se qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë.
“E kemi mbështetjen e ndërkombetarëve dhe mirë po shkon puna”, – tha Kurti.
Tutje ai tha se me këtë veprim synohet të sigurohet qasje të barabartë dhe punë efektive për kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kurti theksoi se qeveria e Kosovës synon të ofrojë një mjedis pune ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje ose prejardhje, të përfitojnë shërbime të barabarta.
“Është e rëndësishme të theksohet është që krejt çfarë kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës, është të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie feje e preardhje dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë”, – tha kryeministri Kurti.