Në vlugun e tensioneve dhe kritikave, Kurtit i vjen përkrahja nga eksperti amerikan: Ai ka të drejtë për këtë çështje!

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka dalë në përkrahje të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti ka refuzuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të propozuar nga pala serbe. Ai ka propozuar një draft vizion të bazuar në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci.

Sipas ekspertit amerikan, Asociacioni në Kosovë duhet të bazohet te ky model, pasi përjashton organizimin territorial të pakicës serbe në vend.

closevolume_off
“Unë besoj se propozimi i kryeministrit Kurti që asociacioni i komunave shumicë serbe në Kosovë mundet dhe duhet të bazohet në modelin kroat të Këshillit Kombëtar të serbëve në Kroaci pikërisht, sepse përjashton organizimin territorial të pakicës serbe në Kosovë. Ideja e Asociacionit duhet të kufizohet në dhënien e të drejtës së vetëqeverisjes komunave serbe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat njerëzore dhe civile dhe arsimin, së bashku me lirinë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre duke ruajtur identitetin e tyre serb”, ka deklaruar Ben-Meir për gazetën “Bota sot”

Sipas tij, “duke qenë se Kurti nuk dëshiron në asnjë mënyrë, dhe për arsye të mirë, të komprometojë pavarësinë e Kosovës, çdo referencë për organizimin territorial duhet të shmanget”.

Ai ka kërkuar që në marrëveshjen e re për Asociacionin, të thuhet qartë se përfshirja e organizimit territorial, minon të drejtën sovrane të Kosovës.

Profesori ka dhënë edhe një këshillë për serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës.

“Përfshirja e një referimi të tillë potencialisht mund të minojë të drejtën sovrane të Kosovës në territorin e saj. Kjo duhet të thuhet qartë në marrëveshjen e re të Asociacionit të Komunave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thënë kështu, serbët që jetojnë në këto komuna të Kosovës duhet të marrin pjesë dhe të integrohen, nëse dëshirojnë, me shoqërinë shqiptare të Kosovës. Në fakt, ato me kalimin e kohës mund të shërbejnë si urë e vullnetit të mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga e cila mund të përfitojnë të dyja vendet”, ka theksuar Ben-Meir për gazetën “Bota sot”.