Rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpce … për në Beograd me ftesë (dhe me detyrim) të liderit serb, Aleksandar Vuçiq të marrin pjesë në kundër-protestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizimit të tij në Serbi.
Sipas mediumi serb ‘Kosovonline’, shumë serbë janë nisur me vetura, gjë që tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd “për të mbështetur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Nga Graçanica dhe vende të tjera në Kosovën qendrore, autobusët e parë u nisën në mesnatë, por edhe në orën 02:00 dhe 4:00 të mëngjesit.
Siç raporton N1, edhe kompanitë kosovare të autobusëve kanë transportuar serbët për në Beograd, konkretisht në tubimin e Vuçiqit atje.