Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten ka takuar disa serbë, të cilët ishin nisur në këmbë nga Veriu i Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd.
Në pritjen e organizuar në Presidencën e Serbisë, ai iu tha serbëve se “falë jush ne ende po luftojmë për Kosovën”, ndërsa shtoi se “këto nuk janë kohë të lehta për vendin tonë”.
Vuçiç u shpreh krenar për mundësinë të presë serbët nga Kosova të paktën, siç tha ai, për një kohë të shkurtër dhe t’i falënderojë ata për mbështetjen që i kanë dhënë shtetit të Serbisë.
“Jam krenar që ju ruani vatrat tona, kujdeseni për vendin dhe që me gjithë presionet e doni atë”, deklaroi Vuçiç, i cili më pas u ankua në bashkësinë ndërkombëtare.
“Para se të vija unë, (Petar) Petkoviç më tha se situata është e vështirë dhe se komuniteti ndërkombëtar ka dalë me trukun e radhës që duan të më bëjnë presion – merre ose lëre në fund të qershorit – të krijohen grupe ekspertësh për të na imponuar Asociacionin”.
“Unë i thashë – qetësohu, asgjë nuk ndodh, nuk zgjidhet brenda natës, i thashë se funksioni i Ekipit Menaxhues dihet, dihet se çfarë ne duam dhe për çfarë nuk do të pajtohemi”, pohoi ai.
Vuçiç potencoi se Serbia do të pajtohej vetëm nëse ofrohet ajo që ishte nënshkruar në marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacionin.
“Dhe do të jetë: Kështu ose jo fare. Të huajt kanë mësuar të sillen në mënyrë arrogante dhe duhet të ketë një të fortë, më të madh që thotë; nuk mund të jetë kështu”.
Në falënderim e sipër, ai u tha të gjithë qytetarëve të Serbisë se “serbët nga të gjitha anët e Kosovës janë të pranishëm, të vendosur dhe të fortë për të ruajtur vatrat e tyre”.
“Do të përpiqem të ndihmoj edhe kur është e vështirë edhe kur është mirë, do të jem me ju”, shtoi Vuçiç para serbëve nga Kosova.
Ndryshe, të mërkurën e 17 majit në mëngjes, një grup serbësh nga Veriu i Kosovës, ishin nisur në këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga Partia Progresive Serbe më 26 maj.
Një grup prej 23 të rinjsh ishin nisur nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut. Ata deklaruan se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që t’i japin mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç’in.
Grupi në fjalë kanë veshur bluza kur shkruhet “Për Serbinë, për Vuçiç-in, serbët nga Kosova”, duke mbajtur pankarta dhe flamuj të Serbisë.
Të rinjtë serbë ishin të vendosur të ecin 500 kilometra në nëntë ditë duke treguar se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë e tyre për të treguar unitet dhe harmoni në këto kohë të vështira për Serbinë”.