Ministrja e Turizmit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila me profesion është gjuhëtare, ka folur për çështjen e përkthimeve shqip-shqip.
Ajo tha se shqipja është shqipe për shkak të themelit të saj, ku siç tha ajo, është gramatika, sistemi fonetik e themelit të leksikut.
“Nuk ka nevojë të bëjmë përkthime shqip-shqip, por ka nevojë që herë-herë të shpjegohemi në fjalë të ndryshme që përdorim”.
“Besoj që Shqipëria ka pasur fatin e jashtëzakonshëm ku që nga 1999-ta me përfundimin e luftës në Kosovë dhe të izolimit shekullor, shumë fjalë të bukura të shqipes të përdorura në Kosovë kanë hyrë mrekullisht në shqipen e Tiranës, ashtu siç shqipja e Prishtinës është pasuruar me disa fjalë që përdoren në Tiranë, Korçë a Shkodër”, është shprehur ajo në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se dialektet e shqipes janë pasuri për gjuhën shqipe.
“Ajo çka ne kemi janë dialektet tona, që nuk janë problem por janë pasuri, mrekulli që i kemi. Gjuha nuk ndan por përbashkon. Unë e quaj veten me fat që të punojë e jetojë në Prishtinë e të japë mësim në UP, ku kam mësuar aq shumë gjëra”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.