Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur këtë të marte se Kosova “nuk ka të drejtë që të propozojë draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar – i cili të shtunën tha se “jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit”.
“Escobar thotë: Tani presim propozimin e Kosovës për Asociacionin. Më duhet t’ia kujtoj dhe ai nuk do të më falë për këtë – të kthehet dhe të rinovojë dokumentin, të lexojë se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe anekset. Institucionet e Prishtinës nuk kane asnjë autoritet as kompetencë as kurrfarë propozimesh nuk kanë të drejtë të bëjnë. Ne as nuk na interesojnë dhe as nuk do të marrim pjesë në ato budallaqe që po mundohen të na verbojnë sytë. Thjesht lexoni çfarë thotë”, ka thënë Vuçiç për televizionin publik serb.
Sipas tij, “përgjegjës për hartimin e draft-statutit për Asociacionin është Ekipi Menaxhues” – që është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës – që kryesohej nga deputetja e parlamentit të Serbisë, nga radhët e Partisë Progresiste serbe, Danjela Vuijçiç.
Kreu i Serbisë, pretendon se “situata në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë”, por sipas tij bojkoti që është bërë nga serbët e Kosovës, duke iu referuar largimit të serbëve nga institucionet kosovare, si dhe bojkotimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, siç thotë ai u ndalën tensionet.
“Falë durimit, urtësisë, inteligjencës dhe bojkotit të çdo gjëje të institucioneve shqiptare, që i acaron edhe më shumë, arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, shtoi ai.
Ndërsa, një grup i serbëve nga Kosova para disa ditësh janë nisur në këmbë për ta mbështetur Vuçiç-in në tubimin që do të mbahet me 26 maj, në Beograd.
Për këtë, si dhe për veprimet e tjera – kreu i Serbisë falënderoi të gjithë serbët e Kosovës, siç tha ai “për mbështetjen” që po i japin.
“Mendoj se, proporcionalisht me popullsinë, numri më i madh i njerëzve në tubimin e së premtes do të jetë nga Kosova. Dhe ata që filluan në këmbë nuk janë njerëz që janë simpatizantë të partisë, janë njerëz që e duan Serbinë dhe e dinë se si dhe sa shumë kemi luftuar dhe do të vazhdojmë të luftojmë për Kosovën”, potencoi Vuçiç.
Ndryshe, deri më tani janë prezantuar dy draft-statute për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – një nga Ekipi Menaxhues, që kryesohej nga deputetja e kuvendit të Serbisë, Danjela Vujçiç, dhe një nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; të dyja këto të prezantuar në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel me 2 maj.
Për Asociacionin e prezantuar nga Vujçiç, Kurti kishte thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ndërsa, modeli i tij – i bazuar në atë kroat, nuk po duket i mjaftueshëm nga pala serbe.
Duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë për temën e njëjtë, ndërmjetësi, në këtë rast BE-ja, propozon që të gjendet një mes këtu, apo siç njihet ndryshe në konceptet politike, një zgjidhje kompromisi, ku të dyja palët tërhiqen nga barrikadimi ku gjenden, dhe kjo të shërbejë në funksion të një zgjidhje përfundimtare.