Iliria antike shtrihej në një territor shumë të gjerë, i cili në kohën tonë përfshinë në vete pjesën më të madhe të gadishullit të Ballkanit. Territori i Ilirisë antike edhe sot po të ishte brenda një entiteti shtetëror, do të konsiderohej si një entitet i madh edhe në konditat e sotme evropiane.
Problemet e funksionimit të Ilirisë antike si një entitet shtetëror homogjen, përbërja e popullsisë dhe ndarja e saj në formacione të shumta fisnore, pasojat e pus.htimeve të gjata romake, bizantine e bullgare, janë ende tema trajtimesh shkencore.
Megjithatë, shtrirja e saj gjeografike është më e fiksuara, më e qarta nga të gjitha problemet e tjera, sigurisht për arsye se gjeografia nuk ka ndryshuar rrënjësisht. Të dhëna për shtrirjen gjeografike të Ilirisë antike kanë lënë shumë autorë të vjetër grekë e romakë. Kësaj radhe do të evokohen dëshmitë e dy autorëve, historianit helen, Apianit dhe gjeografit nga Aleksandria, Ptolemeut, të cilat hedhin mjaft dritë mbi vendndodhjen e Ilirisë antike.
Të dhënat që ka lënë Apiani (fundi i shekullit I-rë deri në vitin 70 të shekullit të II-të) për hapësirën në të cilën shtrihej Iliria, janë me interes për ta pasur një përfytyrim sa më të qartë për shtrirjen e saj gjeografike. Ky historian i njohur helen, i cili bëri karrierë edhe në Romë, në veprën e tij “Illyrike”, ka lënë si dëshmi këto fjalë:
“Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Ister. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe rrëzë të Apleve. Gjerësia mban pesë ditë rrugë, kurse gjatësia tridhjetë ditë, siç thonë helenët. Sipas matjes që bënë romakët, gjatësia kalon të gjashtëdhjetë stadet, kurse gjerësia është rreth njëmijë e dyqind stade. Këtë emër e mori ky vend, siç thonë, nga Iliri, i biri i Polifemit.”
Ndërsa, gjeografi i famshëm aleksandrin i shekullit të dytë të erës sonë, Ptolemeu, në veprën e tij, “Geographia” ka lënë dëshmi edhe më konkrete për territoret ku banonin ilirët:
“Iliria (Illyris) kufizohet nga veriu me të dy Panonitë sipas kufijve që parashtruam, nga perëndimi me Istrinë sipas një vije, fundi së cilës nga ana e Panonisë së Sipërme përfundon në gradat 36 30’- 45 10’, kurse fundi i saj në Detin Adriatik (Adrias) 36 30’- 44 50’, nga lindja me Myzinë e Sipërme sipas vijës prej vendit ku lumi Savo (Savos) ndërron drejtimin e tij, gjer në fundin e saj tek mali Skard (Svardos) gradat e të cilit janë 47 – 41 40’, nga jugu me një pjesë të Maqedonisë sipas vijës që arrin prej pikëmbarimit të lartpërmendur gjer në Adriatik, gradat e së cilës janë 45- 41 0’ dhe me bregun këtej Adriatikut gjer në pikëmbarimin e lartpërmendur pranë Istrisë.”