“Askush nuk po i sulmon serbët në veri të Kosovës” – kështu ka reaguar Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së Listës Serbe që kryeministri Albin Kurti ta ndalë “represionin”.
Edhe pse kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – nuk ka ofruar ndonjë provë për represionin e përmendur, ajo ka paralajmëruar se nëse ai nuk ndalet, serbët, nisur nga 1 qershori, “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.
Këto paralajmërime janë bërë më 19 maj, në ditën kur Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Lista Serbe nuk ka saktësuar se çfarë do të thotë “mbrojtje me të gjitha mjetet”, por Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, beson se ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për protesta qytetare.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme dhe “të mos krijojnë shkak” për trazira në veri të Kosovës.
Disa ligjvënës kosovarë, në anën tjetër, e cilësojnë paralajmërimin e Listës Serbe si kërcënim në adresë të autoriteteve të Kosovës.
Çfarë ka paralajmëruar saktësisht Lista Serbe?
Kryesia e Listës Serbe ka njoftuar se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serb do të mbrohen “me të gjitha mjetet kundër represionit të Qeverisë së Kosovës”, duke thënë se “pushtimi i veriut” ka filluar me marrjen e postit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Si “represion”, Lista Serbe e sheh procesin e “shpronësimit në veri nga Qeveria e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë rajon dhe ndjekjen penale apo arrestimin e serbëve nga autoritetet kosovare”.
Lista Serbe kundërshton kryetarët e veriut, i jep ultimatum Qeverisë së Kosovës
Shpronësimi në veri, rrugë e rrëshqitshme për Qeverinë e Kosovës
Atiq është një nga katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ata i kanë fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi komuniteti serb i ka bojkotuar ato.
“Edhe ky pushtim, si çdo tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Do të përfundojë kur ta duan serbët”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për gazetarë më 19 maj.
Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se me çfarë mjetesh planifikojnë të mbrohen, por ka thënë se serbët kanë kohë që po përballen me “dhunë institucionale”.
Përgjigjja e Qeverisë së Kosovës
Qeveria e Kosovës thotë se “serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të vendit, janë më së shumti të rrezikuar nga vetë Lista Serbe dhe grupet kriminale që veprojnë nën diktatin e Beogradit zyrtar”.
“Respektimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk paraqesin rrezik për qytetarin tonë që është i interesuar për rend dhe shërbime komunale. Të dyja këto i kanë munguar, për shkak të veprimeve dhe interesave të Listës Serbe… Ne duam sundim të ligjit dhe respektim të demokracisë që garanton paqe dhe siguri”, thuhet në një deklaratë dërguar REL-it nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kërcënim apo kurth?
Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë pjesë e Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thonë se ultimatumi i Listës Serbe është kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës. Megjithatë, ata thonë se lidhur me këtë çështje, deri më tash, nuk kanë ftuar asnjë nga drejtuesit e dikastereve dhe institucioneve të sigurisë, për t’i informuar më hollësisht.
Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, i cili vjen nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e sheh ultimatumin e Listës Serbe si tentim për t’i futur në grackë institucionet e vendit.
“Po si nuk është kërcënim? Të reagosh pastaj ndaj kërcënimit dhe të përshkallëzohet situata? Këtë duhet ta menaxhojnë këta që janë në pushtet”, thotë Berisha.
Nënkryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbrojtje, Enver Dugolli, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, thotë se ky komision do të ftojë drejtues dikasteresh përgjegjëse, në rast se konsideron se nevojitet raportim.
“Tani për tani nuk shohim arsye, për shkak se Qeveria dhe institucionet dhe ministritë e linjave po i kryejnë punët duke u bazuar në ligj”, thotë Dugolli.