Gashi ia vë një kusht VV-së për kthimin e LDK-së në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur të dobët pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, këtij pushteti i duhet reflektim dhe shtoi se reflektimi nuk është dobësi, por mundësi.

Ai tha se reflektimi eventual i pushtetit do të rezultonte me zbatim të ligjit dhe siç thotë Gashi, do të iu mundësonte komunave menaxhimin e të hyrave vetanake, si e drejtë ligjore dhe kushtetuese e tyre.
Me këtë rast, do të vijonte edhe puna jonë e rregullt si opozitë, thotë Gashi, teksa ka vënë edhe një kusht ndaj LVV-së për vijimin e mbajtjes së seancave të Kuvendit të Kosovës.

Nëse zhbllokohen mjetet vetanake të komunave, atëherë Gashi tha se “ne jemi të vijojmë me punë të rregullt opozitare”.

“Ne duam që 37.5 milion euro t’u kthehen komunave për realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve. Duam që komunat të mos privohen nga e drejta për t’u zhvilluar. Po ashtu, duam që çdo marrëveshje ndërkombëtare në dobi të vendit të kalon. Krejt kjo varet nga vullneti i pushtetit. Është në dorën e tyre. Është përgjegjësia e tyre. Ne i duam të mirat e qytetarëve si tërësi dhe jo si të pjesshme”, shkroi Gashi në Facebook.

“Pra, ne jemi gati të vijojmë me punë të rregullt opozitare, vetëm atëherë kur pushteti reflekton dhe e zbaton Kushtetutën e Republikës”, përfundoi ai.