Gabriel Escobar, i dërguar i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se pret nga Kosova ta propozojë materialin për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Me këtë deklaratë nuk po pajtohet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili të martën në një paraqitje në Radio Televizionin e Serbisë e ka kundërshtuar njeriun e autorizuar të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Vuçiq ia ka kërkuar Escobarit që ta lexojë marrëveshjen e Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionit – që sipas interpretimit të presidentit serb “Kosova nuk ka të drejtë të propozojë diçka tjetër”, pos versionit të nënshkruar në tryezën e Brukselit një dekadë më parë.
“Të lexoni se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe anekset e saj, në parim. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë asnjë autoritet apo kompetencë”, ka thënë Vuçiq.
Politikani destrutkiv që drejton Serbinë me “grusht të fortë”, i ka rënë në sy edhe flamuri i Kosovës që javën e kaluar është ngritur në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Ai ka thënë se po planifikohet betimi i kryetarëve tjerë shqiptarë në komunat veriore – duke shtuar se Prishtina nuk po e implementon Asociacionin pa kthimin e serbëve në institucione.
Me të gjitha këto probleme mes Kosovës dhe Serbisë merret edhe Josep Borrell, shef i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Ky i fundit e ka përmendur Serbinë në kontekst negativ si vendi i vetëm në rajon që nuk i ka vendosur sanksione Federatës Ruse për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
Njëjtë si Escobarit, Vuçiq i është përgjigjur edhe Borrellit.
“Borell ka të drejtë. Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Përderisa mund të bëjmë një politikë të pavarur dhe të pavarur, do ta bëjmë, kur nuk mundemi do t’i informoj qytetarët për këtë, por ne kemi arritur të mbajmë qëndrimet tona që kemi formuluar për një vit e tre muaj. tani”, ka thënë Vuçiq duke i mbrojtur kështu vendimet e tij që të mos i vendosë sanskione Rusisë përkundër thirrjeve nga perëndimi për ta bërë këtë.