Sipas statistikave, në Greqi ka afërsisht 230 vjedhje për 100 mijë banorë. Vendin e parë e zë Zelanda e Re me 1171 vjedhje për 100 mijë banorë, e ndërsa pesëshen e parë e plotësojnë Uruguai me 558, Italia me 232 dhe SHBA me 228 vjedhje automjetesh. Mirëpo, edhe hajdutët kanë guston e tyre.
Pyetja që bëjnë ekspertë kriminalistë, është vetëm një, pse ka kaq shumë vjedhje makinash në Greqi, pasi sot është e vështirë që një mjet i vjedhur të shitet dhe të rivihet në qarkullim qoftë në vend, por edhe jashtë tij! Përgjigja është e qartë: Për pjesë këmbimi.
Tashmë hajdutët zgjedhin makina të njohura që janë shitur mjaftueshëm në Greqi, por edhe më të rralla që nuk gjenden lehtë pjesë këmbimi. Madje, në disa raste të kësaj kategorie specifike makinash të vjedhura, grabitësit kontaktojnë pronarin duke kërkuar “shpërblim” për kthimin e makinës.
Sipas të dhënave që bëjnë me dije mediat greke, makina më e preferuar nga hajdutët në Greqi vitet e fundit mbetet Smart, e prodhuar kryesisht nga viti 1998 deri në 2014. Sigurisht që nuk preferojnë të renë, e cila është elektrike sepse ka pak pjesë mekanike. Gjithashtu duhet thënë se një Smart mund të vidhet shumë lehtë, për shkak të peshës së lehtë.
Si zgjedhjen e tyre të dytë, hajdutët preferojnë Mini Cooper, veçanërisht gjeneratën e parë (2006-2008) për të njëjtat arsye si Smart. Më pas është Toyota Yaris pasi ka kërkesë të lartë për pjesë këmbimi.