Historiani Dorian Koçi në një intervistë në “Shqip” nga Dritan Hila tregon nëse shqiptarët morën pjesë në kryengritje apo shtypjen e tyre para 1912-ës. Sipas tij, shteti shqiptar ka filluar në 28 nëntor të 1912-ës dhe çdo përgjegjësi e çdo armatë apo veprimtari e shqiptarëve është vetëm pas këtij viti. Ato para janë bërë kur ata ishin pjesë e batalioneve, ose kur ishin mercenarë të Perandorisë Osmane.
“Pas luftës greko-turke të 1897-ës dhe pas rregullimit të Maqedonisë pas kryengritjes Ilindenit, në 1903-shin kur shqiptarët sërish nuk u quajtën si një komb më vete në Maqedoni, nuk kishte më kohë dhe nuk duhej pritur më. A morën shqiptarët pjesë në kryengritjen e Ilindenit? Një pjesë e tyre ishin pjesë e batalionit.
Duhet të kemi parasysh që shqiptarët nën Perandorinë Osmane ishin thjesht mercenarë. Pra nuk kishin një flamur kombëtar, nuk kishin një ideologji kombëtare dhe çfarëdolloj eksesi që mund të jetë kryer nga trupa mercenare shqiptare, këto nuk janë në emër të ndonjë shqiptarizmi apo ideologjie kombëtare.
Pse e them këtë gjë? Sepse masakrat që u kryen në 1913-ën në Shqipërinë e Jugut nga qeveria greke apo ajo serbe, këto janë të argumentuara sepse nuk kanë respektuar asnjë kod etik. Te arrish të mendosh që në 1913-ën ushtria serbe hyn ne Shqipëri dhe kryen ato masakra, pastaj në 1915 bën atë golgotën e famshme, tërheqjen bashke me mbretin e tyre dhe kalon përmes Shqipërisë, kjo do të thotë që shqiptarët kanë një qëndrim më fisnik ndaj atij që është nën të, ose që po vuan.
Ata shqiptarë që merrnin pjesë në shtypjen e kryengritjeve ishin pjesë të trupës ushtarake që mobilizoheshin për shkak të mobilizimit të përgjithshëm dhe nuk kishte asnjë lloj motivimi.
Është shumë e rëndësishme të saktësojmë se në debatet e sotme, biles edhe kur duan të rishkruajnë tekstet e historisë me fqinjët tanë ballkanike këmbëngulin në këtë pjesë në mënyrë të djallëzuar, por duhet të këtë një kujdes. Shteti shqiptar ka filluar në 28 nëntor të 1912-ës. Dhe çdo përgjegjësi e çdo armatë apo veprimtari e shqiptarëve është vetëm pas këtij viti.”, tha historiani Dorian Koçi. /dita