Është ngjarja më e madhe që na ka ndodhur”, “dëgjimi në Senat i dha edhe një vulë apostile zyrtarizmit të çështjes së Luginës së Preshevës”.
Kështu e kanë komentuar seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, ku u trajtua për herë të parë politika diskriminuese e institucioneve serbe për pasivizimimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, për Albanian Post, kryetari në largim i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, dhe ish-deputeti nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi.
Të dy të prononcuarit e Albanian Post ishin protagonistë të takimeve që delegacioni i Luginës së Preshevës i kishte zhvilluar në mars, në SHBA – për t’i denoncuar diskriminimet dhe shkeljet e vazhdueshme që Serbia i bënë në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ishte senatori amerikan, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, Bob Menendez, që shqetësimet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ia paraqiti dy zyrtarëve amerikanë.