Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një paraqitje televizive në “Kanal 10”, qeverisjen e deri tanishme të kryeministrit Albin Kurti, e vlerësoi me “notën 1”, ndërsa sipas tij, “notën 10” kreu i ekzekutivit e meriton vetëm për propagandë.
Këto komente ai i bëri pas deklaratës së Kurtit, ku kishte thënë se është kryeministri i parë që nuk ka asnjë familjar të punësuar me mbiemrin e tij në institucione, por Krasniqi tha se nuk mund të krahasohet me kryeministrat e tjerë, kjo për shkak siç thotë, “nuk ka familje në Kosovë”.
“Duhet të na tregojë se sa familjarë i ka në Kosovë, dhe pastaj e krahasojmë me kryeministrat tjerë, si (Avdullah) Hoti, (Hashim) Thaçi, e (Ramush) Haradinaj”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, ai përsëriti qëndrimin e partisë së tij kundër marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pasi që ai beson që “është marrëveshje e keqe”.
“E kemi mbështetur Albin Kurtin në procesin e dialogut, dhe për këtë kemi marrë kritika të mëdha, përfshirë edhe të anëtarëve të PDK-së”.
“Nga marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, e përqendruar në njohje, por ajo çfarë u nënshkrua ishte komplet e kundërta, një marrëveshje e përkohshme. Ajo çfarë ka nënshkruar Albin Kurti është autonomi politike për serbët e Kosovës”, shtoi ai.
Krasniqi foli edhe për ikjen e të rinjve nga Kosova, duke e konsideruar këtë fenomen si plagën kryesore të vendit.
“Dy vitet e fundit, sipas të dhënave të ASK-së, nga Kosova kanë emigruar mbi 120 mijë qytetarë dhe pyetja duhet të shtrohet pse kaq shumë në këtë kohë”, elaburoi ai.
Ndërsa, theksoi se momentalisht nuk janë duke ikur vetëm ata që janë të papunë, por edhe kuadro të fushave të ndryshme si; infermierë e mjek, inxhinierë. Krejt kjo sipas Krasniqit është duke ndodhur “edhe për shkak të zhgënjimit të tyre nga premtimet e qeverisë”.
“Njerëzit kanë besuar që Kurti do të sjellë punë dhe drejtësi; që aktivistët e VV-së nuk do të ia zënë vendin, por ata e bënë të kundërtën duke i mbushur ndërmarrjet publike me militantë të tyre”, nënvizoi Krasniqi.
Tutje, kreu i PDK-së theksoi se “dita ditës po piqen kushtet për të shkuar në zgjedhje” dhe kjo sipas tij “për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie”.
“Një qeveri si kjo asnjë minutë nuk duhet të qëndrojë në pushtet”.
I pyetur se pse nuk ka aksione për ta rrëzuar këtë qeveri të cilën e kritikonte, ai tha se “nuk i kemi numrat për ta rrëzuar”.