Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë përpara seancës konstituive të betimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, përgjatë bisedës u diskutua edhe Marrëveshja e Ohrit, për çka Kurti në ‘Twitter’ tha se ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm nga Serbia.
Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.Në takim u bisedua edhe për vizitën e Administratores së USAID Samantha Power.
“Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet ndër të tjera në njoftim.