Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar se tenisti serb, Novak Gjokoviq e ka të ndaluar hyrjen në Kosovën derisa ai të vaksinohet. Reagimi i Çekut vjen pas deklaratës së tenistit serb ku e kishte quajtur Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, Gjokoviq ka thënë se ka dëshirë të kthehet në Kosovë për t’i pagëzuar fëmijët e tij, teksa kishte thënë se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një postimi në Twitter i është kundërpërgjigjur tenistit serb.
“No-Vax No entry”, shkroi ai në rrjetin social, duke e vendosur edhe flamurin e Kosovës.
Pas reagimit të ministrit kosovar, mediat në Beograd, të afërta me pushtetin e Vuçiqit, kanë “shpërthyer” në ofendime e terma skandaloze në drejtim të Kosovës dhe shqiptarëve.
“Novak kërkon të pagëzojë fëmijët në Kosovë, ministri i shtetit të rremë të Kosovës e provokon me një njoftim të turpshëm” – shkroi në artikullin e saj skandaloz gazeta nacionaliste Kurir, transmeton lajmi.net.
Mediumi “Informer” shkoi edhe më larg me skandale duke i quajtur shqiptarët “njerëz të sëmurë”.
“Njerëz të sëmurë! Shqiptari do ta ndalojë Gjokoviqin të pagëzojë fëmijët në Kosovë” – thuhet në titullin skandaloz të kësaj gazete që njihet për qëndrimet e saj në lidhje me shtetin e Kosovës.
Tenisti serb njihet për deklaratat e tij shoveniste. Ai edhe në të kaluarën kishte deklaruar fakte kundërthënëse lidhur me pavarësinë e Republikës së Kosovës./Lajmi.net/