Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, prandaj edhe duhet zbatuar. Por diplomati amerikan sërish garantoi se ky mekanizëm nuk do të jetë një lloj tjetër i Republikës Serbe.
“Ky është zotim ndërkombatar i Kosovës. Në pikëpamjen tonë kjo është në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetutese. Ne e kemi bërë shumë të qartë se nuk pranojmë dicka që i ngjanë Republikës Serbe. Qëllimi është që serbët e Kosovës të mos varen nga Beogradi”, tha Chollet.
Në këtë kontekst, tashmë po përmenden edhe modele të ndryshme në Evropë që do të mund të përdoreshin si shembuj për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Chollet përmendi rastin e Zvicrës, Italisë së Veriut dhe Finlandës për akomodimin e pakicave.
Se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovës, diplomati amerikan përmendi edhe një shkrim autorial të tij ku tregonte qartë se çka është ky mekanizëm e çka jo, teksa shtoi se ky shkrim është bërë një nga tri shtyllat e kryeministrit Albin Kurti për të pranuar themelimin e tij.
“Kemi punuar me palët ne vazhdimisht. Por, palët duhet dëgjojnë këtë edhe nga kongresi, të mos mendojnë se shqetësohemi vetëm ne. Nuk ka ndonjë ‘plan magjik’ këtu. Duhet kurajë politike e rrezik për të dy liderët për të ecur para, ne duam t’ua japim atë guxim”, shtoi Chollet.
Këshilltari i lartë i DASH-it dhe Emisari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po marrin pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë mbi “Vlerësimin e politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”.