Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se ishte aftësi e jashtëzakonshme e ish-kryeminsitrit Isa Mustafa që ta negocionte një letër të shkruar të ish-shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Në atë letër, Mogherini e kishte siguruar Mustafën se Asociacioni nuk ishte një pushtet i tretë me kompetenca ekzekutive për serbët e Kosovës.
Në emisionin DPT te Fidan Jupolli, Haziri ka thënë se ajo letër është bërë strategji dhe vizion i qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti sot. Ai ka thënë se ajo letër ishte zotësi e Mustafës.
“Prej kur u bë vizion e strategji negocimi i mirë Isa Mustafës për Albin Kurtin. Vizioni i Kurtit në Bruksel dhe Prishtinë, ai thotë që draft-statuti i Asociacionit do të bëhet në përputhje marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 dhe në letrën e Mogherinit dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese?”, ka pyetur Haziri
“Letra e zonjës Mogherini është negociu, nuk ishte dhuratë”, ka thënë tutje Haziri.
Sipas Haziri, që letra e Mogherinit të ishte e shkruar, ishte kërkesë insistuese e ish-kryeministrit që vjen nga partia e tij.
“Isa Mustafa ka kërkuar dokument të shkruar, garancion, jo gojor, për largimin e frikës për një pushtet të tretë me kompetenca ekzekutive dhe e ka detyruar presidentin serb të vë frimë që Gjykata Kushtetuese të japë fjalën përfundimtare”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kurti tani nuk po arrin sukseset e Musafës.
“Kjo është aftësi e jashtëzakonshme të negociohen situata të tilla. Pse, z. Kurti as nënshkrim nuk mundi të nxjerr nga Vuçiq?”, ka thënë Haziri.
Haziri ka thënë se Kurti ka ndërtuar objektiva të gabuara në politikat e tij.
“Ai po do ta demokratizojë Serbinë. Nuk mund ta bëjmë ne këtë”, ka thënë Haziri. /GazetaExpress