Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media të martën, teksa ka folur për situatën aktuale në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, tha se po përballet me presion të madh për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Presidenti serb, pas përfundimit të takimit me anëtarët e Partisë Progresive Serbe, duke u nisur nga ajo çfarë i ka raportuar shefi i delegacionit të Serbisë në Bruksel, Petar Petkovic, tha se ekziston një plan “defacto” për ta detyruar Serbinë ta njohë Kosovën.
“Biseduam për peshën e situatës politike me të cilën po përballet vendi, për presionet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe është e qartë, në bazë të raportit të Petkovic-it, ekziston një plan de facto me të cilin [komuniteti ndërkombëtar] po mundohen t’i tregojnë Serbisë dhe serbëve se disa [Kosova] i kanë përmbushur obligimet e tyre”, tha Vuçic, transmetojnë mediat serbe.
Ndryshe, të hënën e 15 majit u mbajt takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve, përkatësisht atij të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, i ndërmjetësuar nga Bahskimi Evropian.
Mitrovica e Veriut Archives – Korrespodenti
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit deklaroi se pala serbe ka insistuar të flas vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Sekuencimi ka qenë për ne tema qendrore, meqenëse kemi pasur parasysh një propozim të zotëri Miroslav Lajçak. Kemi pasur vërejtjet tona, por pala serbe nuk ka dërguar ndonjë propozim, pala serbe nuk ka pasur gatishmëri, kanë thënë se duan të flasin vetëm për Asociacionin”, kishte thënë Bislimi para gazetarëve në Bruksel.
Megjithatë, sipas tij, nuk është dashur që të priten rezultate nga ky takim, meqë theksoi se “ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë”.
Mbi atë se çfarë është pikënisje e diskutimit për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes bazike, Bislimi ka theksuar se u sqarua se “tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga Lajçak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të Facebook-ut”.
“Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga Isa Mustafa në vitin 2015 dhe Petkoviç edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin”.
Ndërsa si një takim skandaloz e ka cilësuar kryenegociatori serb, Petar Petkoviç takimin me Bislimin.
“Ishte takim skandaloz dhe Bislimi erdhi pa asnjë dokument dhe askënd me vete. Kishim çështje të rëndësishme të diskutonim, por Bislimi nuk dëshironte të jap përgjigje”, u tha gazetarëve serbë Petkoviç, raporton N1.
Sa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që pritej të ishte tema kryesore e takimit, Petkoviç deklaroi se Bislimi i ka thënë që “nuk e di çfarë është Asociacioni”.
“Po përpiqej ta bënte ta bënte takimin të pakuptimit me ndërhyrje të ndryshme. Kur unë fola për marrëveshjen dhe çështjen e energjisë ai më tha se po flas marrëzi”, pohoi Petkoviç.
“Kur duhet të kishim diskutuar çështje të rëndësishme si zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit dhe çfarë dhe si të veprohet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe çështje të tjera të rëndësishme si liria e Lëvizjes – çështje që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të Kurtit që ndodh çdo ditë ndaj serbëve, sulmet e policisë së Kosovës, gjuajtjet ndaj serbëve, Bislimi nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për këtë”, shtoi ai.
/Albanianpost.com