E mashtroi shoqja me 36 mijë euro, si e kuptoi shitësja shqiptare që 9 çantat s’ishin origjinale

Për disa mund të duket e pabesueshme që të mashtrohesh jo pak por në një vlerë 36 mijë euro dhe mashtrimi të vijë pikërisht nga mikesha jote.

Bëhet fjalë për 30-vjeçare që u arrestua nga Policia e Tiranës, si autore e mashtrimit në një vlerë prej 36 mijë eurosh. Erlinda Metaliaj mashtroi një mikeshë të saj, të cilës i solli nga jashtë shtetit çanta që në dukje ishin origjinale të firmave të njohura, por që në fakt ishin false.

Si për ironi të dyja vajzat ishin mikesha me njëra-tjetrën dhe në bisedat e tyre ranë dakord që Metaliaj do t’i sillte nga jashtë çanta, që vajza tjetër t’i shiste në një dyqan që kishte marrë me qira në kryeqytet.

Çantat në fjalë, Metaliaj i solli nga jashtë në kohë të ndryshme dhe në 9 në total të sjella kishte marrë mbrapsht 36 mijë euro nga shoqja e saj. Fillimisht ajo nuk i kuptoi se nuk ishin origjinale, por kur ekspertët e specializuar për të bërë dallimin e produkteve të tilla, i ekzaminuan, kuptuan se çantat, mes tyre edhe të markës “Chanel”, ishin imitime dhe me përqindje shumë të ulët origjinaliteti.

Ishte vetë e mashtruara që iu drejtua policisë për një kallëzim. Agjentët e Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, pasi sqaruan dinamikën e ngjarjes dhe faktuan veprën penale, ndërhynë për arrestimin e 30-vjeçares Metaliaj. Nga hetimet rezultoi se ajo, përveçse i shiste në shuma të konsiderueshme, çantat i sillte kontrabandë nga vende të Bashkimit Evropian.