Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se Ekipi Menaxhues për përgatitjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka ekzistuar nga viti 2013.
Ai tha se fokusi gjatë qeverisjes së tij s’ka qenë tek Asociacioni, por te njohja reciproke.
“Ky ekip buron nga marrëveshja e vitit 2013 dhe ka ekzistuar në çdo qeveri. Por, në qeverinë time nuk ka qenë fokusi tek Asociacioni. Qëllimi i dialogut ka qenë tek marrëveshja për njohje reciproke. Unë jam marrë vetëm me marrëveshje për njohje reciproke, sepse vetëm atëherë normalizohen marrëdhëniet me Serbinë. Për këtë kam punuar me partnerët ndërkombëtarë”, është shprehur Hoti për Klankosova.
Ish-shefi i qeverisë tutje tha se pasardhësi i tij në ekzekutiv, Albin Kurti, është dashur që ta vazhdojë mënyrën e dialogimit siç ishte nisur në Qeverinë Hoti, pasi sipas tij, puna e Kurtit aktualisht në negociatat me Serbinë është aspak e mirë.
“Është katastrofë. Ky e ka nxjerr dialogun nga binarët që çojnë në njohje reciproke dhe e ka vendosur në binarë që çojnë tek vetëmenaxhimi. Është dashur të vazhdohet dialogu që ka mbetur në gjysmë në qeverinë e kaluar. Kosova duhet t’iu dalë zot zotimeve të veta, mbi baza të Kushtetutës ashtu siç është arritur marrëveshja në Qeverinë Mustafa, ku statuti shkon në Gjykatën Kushtetuese para se të miratohet në qeveri”.
“Mbi të gjitha, njohja reciproke, e pastaj normalizimi i marrëdhënieve. Por, dialogu është vendosur në binarë të tjerë. Këta binarë nuk çojnë në njohja reciproke. Këta binarë çojnë tek vetëmenaxhimi”, është shprehur Hoti.