‘Nuk e ka të lehtë’, Ali Ahmeti tregon se çka diskutoi dhe e siguroi Kurtin

Kryetari i BDI’së, Ali Ahmeti ka folur për takimin që ka pasur sot në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër, transmeton Gazeta Metro.

Ai ka thënë se nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë atëherë do të fitojnë të gjitha palët.

Sipas tij, kreu i ekzekutivit kosovar nuk e ka aspak të lehtë, por që shpreson në fund të arrihet një epilog pozitiv.

”Sigurisht që Kosova është pjesë e ndishme e jona, e shqiptarëve të Maqedonisë. Çdo sukses i Kosovës është kënaqësi e jona. Sot këtu jam në mbështetje morale të institucioneve të Kosovës, në mbështetje të arritjes së marrëveshjes historike për Kosovën, për rajonin , për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe të Serbisë, sepse me arritjen e marrëveshjes fitojnë të gjitha palët.”

”Nuk është lehtë për Kurtin, por pafundësisht hidhërim e hasmëri nuk mund të ketë, duhet të ketë një epilog, dhe shpresoj që me vet zgjatjen e këtyre kohëve të vona dhe mund të zgjasë edhe shumë këto negociata. Uroj dhe shpresoj që të ketë epilog pozitiv që do të ishte i mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Ne urojmë që ky epilog të jetë i suksesshëm,” tha ai në një lidhje direkte në emisionin ‘Pressing’ në T7.

Rreth takimit me Kurtin politikani shqiptar më i përkrahur në Maqedoninë e Veriut tha se nuk e ka këshilluar, por vetëm e ka siguruar që asnjëherë nuk ka mbetur i zhgënjyer nga aleatët ndërkombëtarë.

Ai thotë se përderisa marrëveshja e ka mbështetjen e Europës dhe SHBA’ve, kryeministri kosovar duhet të mos ketë hezitim, por të veprojë në drejtim të epilogut.

”Unë nuk kam ardhur as ta këshilloj, por ka qenë bashkëbisedim i dy njerëzve të veprimtarive të mëhershme që na kanë lidhur, e kam uruar Kurtin që të jetë i fortë në këto negociata. Ka mbështetje të Evropës, Amerikës për këtë marrëveshje që të arrihet, dhe e kam siguruar Kurtin që unë asnjëhreë nuk kam qenë i zhgënjyer nga Amerika, Evropa e as nga NATO. Këtë e sigurova Kurtin.”

”Përderisa marrëveshja ka mbështetjen e Evropës, Amerikës, i thash të mos ketë hezitim por të veprojë në drejtim të epilogut,” potencoi ai.

Ndërkohë, duhet theksuar se pas më shumë se 8 orëve negociata në Ohër, ka përfunduar edhe pjesa e dytë e takimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze. /gazetametro.net