Të hënën e kaluar rifilloi dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel. Palët në konflikt, përfaqësuar nga Kurti dhe Vuçiç, ranë dakord të mbështesin planin franko-gjerman për zgjidhjen e këtij konflikti dhe normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete të pavarura. Ndërkaq interlokutorët evropiane propozuan Maqedoninë e Veriut si pikën vendore të ardhshme për të vazhduar dialogun pas dy-tri javësh. Mesa duket do të jetë (do të ishte) Ohri, qyteti i nënshkrimit të marrëveshjes.
Por a do të ketë një takim tjetër midis Kurtit dhe Vuçiç? Gjasat janë se ky takim do të dështojë. Sepse presidenti i Serbisë ka paralajmëruar se “nuk është gati” të nënshkruajë atë marrëveshje. Si gjithmonë! Kjo është taktika serbe: – Prano e mos firmos! Ose firmos e mos prano! Pra mos ratifiko dhe mos i zbato marrëveshjet që nënshkruhen. Kjo ka ndodhur edhe me marrëveshjen e 19 prillit 2013, si dhe me marrëveshjet e tjera të mëvonshme. Taktika e “të fituarit kohë”!
P.sh firmosi marrëveshjen për njohjen e dokumenteve të Kosovës, për kthimin e regjistrave kadastralë, për kthimin e artefakteve dhe objekteve të tjera të trashegimisë kulturore të Kosovës. Firmosi edhe marrëveshjen për gjetjen e trupave të shqiptarëve të masakruar, që Milosheviçi me ndihmën e Vuçiçit dhe Daçiçit i pati zhdukur. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë? Përkundrazi Serbia u bë “vajza e llastuar” e Evropës dhe Amerikës! Ndërkohë Kosova gradualisht e hap pas hapi mori goditje pikërisht nga ato shtete që e çliruan atë dhe e shpëtuan nga një gjenocide shumë herë më i madh se ai që ndodhi në vitet 1998-1999. E detyruan madje Kosovën që të nënshkruajë marrëveshje të re të tipit moratorium, për shtyrjen e zbatimit të vendimeve të 2013-ës, si për dokumentet, targat etj!
Po pse u llastua Serbia deri në pikën që sot të mohojë premtimin e saj të 27 shkurtit të kaluar për nënshkrimin e marrëveshjes sipas planit franko-gjerman? Pse presidenti i Serbisë betohet se “nuk do ta lejojë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së”? Pse ky qëndrim kthesë 180 gradë nga ana e Serbisë?! Sepse ka gjet mbështetje te qarqe të caktuara evropiane. Çuditen disa kur shkruaj dhe them se ka shumë politikanë e diplomatë amerikanë dhe europianë që e mbrojnë Serbinë dhe interesat e saj në rajonin ballkanik! Po a nuk pati me shumicë të tillë diplomatë, politikanë e formacione politike euro-amerikane që mbajtën lidhje të ngushta në shumë pikëpamje me Vladimir Putin, së paku deri para një viti?! Pse duhet të çuditemi me atë që ndodh kundrejt Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiç?! A nuk e mbron Serbinë sa herë që flet edhe kryeministri I Shqipërisë?!
Kur një politikan shqiptar, si Kurti, Osmani apo dikush tjetër, e njeh dhe e pranon këtë realitet të hidhur, ngrihet çeta e politikanëve të tjerë po shqiptarë për t’i goditur këta si anti-amerikanë e madje edhe si anti-europianë. Ndërkaq janë këta akuzuesit e mëdhenj që siç thoshte dje prokurori i përgjithshëm i SHBA-ve në Senatin, ata që paguajnë zyrtarë amerikanë, me qëllim që të garantojnë mbështetjen e Uashingtonit në luftën e brendshme politike dhe me këtë akt cënojnë sigurinë amerikane!
Dikush apo disa i kanë premtuar presidentit serb se do ta ketë mbështetjen e segmenteve pro-serbe e pro-ruse për të refuzuar paqen me Kosovën e në rajon! Dhe ky dikush apo këta disa, nuk janë naivë, por duan që ta mbështesin Serbinë në aventurën e saj anti-Kosovë. Interesat okulte veprojnë edhe te zyrtarë, politikanë dhe diplomatë në vendet e demokracive perëndimore. Kur një gjyqtari në Gjermani i thashë në vitin 2005 se “Këtu ka drejtësi”, më pa me habi e më tha – “Jo, jo edhe këtu nuk ka drejtësi, ka madje padrejtësi”! Por unë në krahasueshmërinë e drejtësisë gjermane me atë të Shqipërisë, kisha të drejtë në konstatimin tim.
Megjithatë e vërteta nuk është absolute. Dhe nëse themi që e drejta është pranimi i të vërtetës, atëherë mund të provohet se edhe drejtësia nuk është diçka hyjnore, absolute. Prandaj dhe ne duhet të jemi realistë. Të kuptojmë se e drejta dhe e vërteta nuk janë identike me vendimmarrjen dhe as me përkrahjen ose jo të saj. Vendimmarrja në rastin e zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi, edhe në rastin më të favorshëm për viktimën, pra për Kosovën, përsëri është e padrejtë. Imagjino se sa kular bëhet e drejta pastaj në qëndrimet ndaj presidentit serb, Vuçiç, edhe pse ky refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e pranuar në 27 shkurt dhe me indiferencën dhe llastimin që i bën atij Evropa.
Prej këtej burojnë më pas presionet dhe ultimatumet ndaj të dobëtit, viktimë e genocidit serb, Kosovës! Bota është kurvë. Nga gjermanishtja “Kurve” do të thotë kthesë, d.m.th rrugë me kthesa gjarpërore. E tillë është edhe Europa dhe Amerika. Sepse nuk mund të jetë ndryshe. Prandaj ata nuk duan ta shohin të vërtetën e madhe se Aleksandër Vuçiç nuk ndryshon. Për pasojë nuk e ndryshon as kursin e vendit të tij në aleancë me Rusinë. Vuçiç nuk u bë ministër i informacionit i Milosheviçit pa kontribute në farkëtimin e miqësisë serbo-ruse. Evropa dhe Amerika, fatkeqësisht me dashjen e tyre, kanë rënë në kurthin e mashtrimit të presidentit të Serbisë. Kjo është arsyeja pse e mbajnë atë në prehër dhe pse vrapuan për t’ia dhënë 2.2 miliard euro, nga të cilat 600 mijë grande!
Por mos u mërzisni se ka edhe më keq!