




Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka për interes të mos e zbardhë rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, që më 2016 u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit.





Në Kuvend, Berisha ka thënë se Vetëvendosje e ka përdorur rastin e Deharit për përfitime politike.
Ai ka thënë se janë dy “parakushte” për ta zbardhur rastin. Ka ndërlidhur këtu edhe rastin e vetëvrasjes e vëllait të Astrit Deharit, Arbënorit. Ka aluduar se “nëse zbardhet rasti i sulmit në objektet e institucioneve do të ishte tërmet për VV-në”.
Ndaj fjalimit të Berishës kanë reaguar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Debati mes tyre ka vazhduar edhe pas ndaljes së mikrofonëve.





Në prapaskenë, debati mes Haxhiut dhe Berishës ka vazhduar edhe për disa minuta.
“S’ka ashtu me fole çka t’i teket këtij. Gjykata i ka shpall njerëzit të pafajshëm sepse ju keni dashur ta shpallni Lëvizjen Vetëvendosje, organizatë terroriste! Ju, partia juaj! Mbylle gojën! Mbylle!”, i ka thënë Haxhiu, Berishës.
Në video dëgjohet edhe deputeti i Listës Guxo, Burim Meta, i cili kritikon Berishën për “sjellje jo njerëzore”.
“Komandant, shumë jonjerëzor je kallëzu. I thotë vetës komandant”, i ka thënë Meta, Berishës.
“A ki diçka personale. Nëse ki diçka personale dalim jashtë”, i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Metës.